TIRANË- Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 18 qershor 2024, bashkë të treja paditë e depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari.
Padia e parë në Gjykatën Kushtetuese u depozitua në shkurt 2024 nga 37 deputetë opozitës. Më 25 prill Kushtetuesja pranoi që të marrë në shqyrtim padinë e opozitës, ndërsa në një njoftim të ndarë në faqen zyrtare njofton se kjo padi do të shqyrtohet bashkë me dy të tjera.
Bëhet fjalë për padinë e depozituar në mars për shfuqizimin e ligjit nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA), si edhe padia e Avokatisë së Shqipërisë për moszbatimin e ligjit si antikushtetues. Kjo është padia e tretë e depozituar në Gjykatën Kushtetuese më 19 prill, ndërsa nismës së avokatit Lulzim Alushaj iu bashkuan masivisht 400 profesionistë, si: avokat, përkthyes, financiarë, agjentë të shitjeve të pronave etj, edhe shoqata biznesi.
Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, kërkesat e jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Shoqata “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” (IKM), Shoqata “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar” (IEKA), Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, do të zhvillohen në seancë plenare publike më 18 Qershor.
“Shfuqizimi i pjesshëm i nenit 3, pika 5, nenit 12, pika 1, shkronja “ç”, nenit 24, pika 2 dhe nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, për sa i përket profesionit të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor, dhe profesionit të avokatit si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i nenit 4, pika 1 dhe i tabelës analitike nr. 2, të VKM-së nr. 753, datë 20.12.2023, që i referohet nënndarja 69, për profesionin të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor dhe profesionit të avokatit, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Pezullimi i zbatimit të nenit 3, pika 5, nenit 12, pika 1, shkronja “ç”, nenit 24, pika 2 dhe nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, si dhe nenit 4, pika 1 dhe i tabelës analitike nr. 2, nënndarja 69, të VKM-së nr. 753, datë 20.12.2023, për pjesën që i referohet profesionit të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor, dhe profesionit të avokatit derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi", thuhet në njoftim.
Prej 1 janarit të këtij viti profesionistët e lirë që ofrojnë shërbime profesionale (26 lloje aktivitetesh, të ndara në 169 profesione) janë bërë pjesë e taksimit me fasha, dhe nuk trajtohen më si biznes i vogël me 0% tatim. Ata që sigurojnë të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë do të tatohen me 15% ndërsa ata që kanë të ardhura mbi 14 milionë lekë do të paguajnë 23% tatim.
Për ekspertët tatimi në mënyrë progresive i profesioneve të lira, krijon premisa për korrupsion, shkaktohen diferencime dhe diskriminim midis biznesit që deri në 14 milionë lekë nuk paguan tatim kundrejt një profesionisti.