Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Patozit dhe Murrizit, zgjedhjet e ardhshme priten me lista 100% të hapura! Rrëzohet herësi

Gjykata Kushtetues ka pranuar kërkesën e Bindjes Demokratike të Astrit Patozit për shfuqizuar nenin që i shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit. Kërkesa për shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor është pranuar pjesërisht si e papajtueshme me Kushtetutën. Me këtë vendim pritet që në zgjedhjet e ardhshme të kemi proces zgjedhor me lista 100% të hapura. kryetarët e partive nuk do të vendosin më pjesën më të madhe të deputetëve. Me shfuqizimin e neni nga Kodi zgjedhor, në të ardhmen, deputeti që fiton numër më të madh votash futet në parlament pavarësisht renditjes. Gjykata Kushtetuese shqyrtoi më 9 qershor 2021 kërkesën e Bindjes Demokratike dhe Lëvizjes Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit në lidhje me shpërndarjen e mandateve. Kërkesat e dy partive e dorëzuar më 29 dhjetor 2020 argumentohej  se antikushtetueshmëria e të ashtuquajtuarit herës në shpërndarjen e mandateve është një element që cenon barazinë e votës dhe që praktikisht bie ndesh me parimin e listës së hapur të sanksionuar në kushtetutë.

"Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 09.06.2021 çështjen me kërkuese partinë “Bindja Demokratike” dhe partinë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, me objekt shfuqizimin e nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vendi: - Pranimin pjesërisht të kërkesës. - Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar", thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. 

Çfarë është herësi?! Me ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor konkretisht neni 163, pasi është përcaktuar numri i mandateve të subjektit në një qark të caktuar, fillon listimi i kandidatëve të subjektit në atë qark duke renditur në krye të listës kandidatët që kanë tejkaluar herësin dhe më pas kandidatët që kanë qenë në zonën fituese sipas mandateve. Nëse nuk ka kandidat me herës (numër votash) të tejkaluar lista dhe renditja mbetet po ajo që Kryetari i Partisë ka dorëzuar në fillim të fushatës pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këta kandidat mund të jenë në pozicione inferiore në listën fillestare me firmë të Kryetarit të Partisë. Herës është mesatarja numerike që del nga pjesëtimi i total vota të subjektit (partisë) në atë qark, me numrin e mandateve po të partisë (subjektit), gjithmonë rezultate të qarkut. Herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 mijë vota. Në çdo rast një kandidate e grupit Gjinor më pak të përfaqësuar ruan pozicionin e saj në listë nëse deputeti fitues nga vota parapëlqyese është i gjinisë tjetër. Pra me fjalë të thjeshta një grua mund të rrëzohet vetëm nga një kandidate grua.

Neni 163 i Kodit Zgjedhor

Ndarja e mandateve brenda koalicionit

1. Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve brenda koalicionit në çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që secila parti pjesëtare e koalicionit ka marrë në zonën zgjedhore përkatëse dhe numrit të mandateve që koalicioni ka fituar në zonën zgjedhore përkatëse.

2. Numri i votave të vlefshme të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë tek të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Në rast se herësi që përftohe  nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

3. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen brenda koalicionit në zonën zgjedhore përkatëse. (Pika e shfuqizuar)

4. Një parti politike përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni. Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka fituar numrin më të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre partive. Shorti hidhet publikisht në KQZ, në prani të subjekteve të interesuara.

5. Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, sipas këtij neni, KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike, në bazë të renditjes së kandidatëve në listë, të depozituar sipas pikës 4 të nenit 67 të këtij Kodi, në rend zbritës, duke filluar nga numri rendor një.

6. Kryetari i partisë, i regjistruar në më shumë sesa një listë, sipas pikës 3 të nenit 67 të këtij Kodi, i cili ka fituar mandat në më shumë se një zonë zgjedhore, mban vetëm mandatin e fituar në zonën zgjedhore ku lista fituese ka marrë numrin më të vogël të votave, sipas përllogaritjes së neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi. Mandatet e tjera të fituara nga kryetari i partisë u shpërndahen kandidatëve të tjerë, që renditen menjëherë pas tij në listën shumemërore përkatëse.

7. Shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Vendimi mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor, sipas procedurave të pjesës XI të këtij Kodi, nga subjektet e parashikuara në pikën 1 të nenit 124, përfshirë edhe kandidatët e listës shumemërore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:02
Vendimi i Kushtetueses, Patozi: Vendim i duhur dhe pse i vonuar! Ta përshëndesë tani Partia Demokratike

1619541998_AstritPatozi.png

Një vendim të duhur, edhe pse i vonuar pasi do të duhej të ishte marrë para zgjedhjeve të 25 prillit. Kështu e konsideron një prej kërkuesve në Gjykatë Kushtetuese për rrëzimin e herësit nga Kodi Zgjedhor, ish-koordinator i Bindjes Demokratike Astrit Patozi.

"E përshëndesim vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e herësit të Damianit, i cili e mbyllte me dry kinez listën e deputetëve, që e kishte hapur më parë Kushtetuta.

Në pritje të zbardhjes të vendimit, për të cilin nuk besojmë të ketë të papritura, e falenderojmë trupën, që për këtë çështje nuk iu drejtua Komisionit të Venecias.

E kemi ditur që në fillim se nuk prisnim që kjo e drejtë do të aplikohej për zgjedhjet e 25 prillit, i cili do të kishte qenë shërbimi i duhur dhe në kohë për demokracinë dhe shtetin tonë të së drejtës. Por tek e fundit, në Shqipëri do të ketë prapë zgjedhje edhe pas 25 prillit. Kjo ishte e vetmja mundësi që kishim për të vlerësuar votën dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë, siç ata e hedhin, dhe ne atë e shfrytëzuam.

Pas kësaj, presim që këtë vendim ta përshëndesë edhe Partia Demokratike, si forca kryesore e opozitës, sepse ajo para zgjedhjeve është shprehur për lista 100 përqind të hapura", thotë Patozi.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës

Serbia i refuzon ministrit të Brendshëm të Kosovës kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës