Patozi dhe Murrizi, kërkesa në 'Kushtetuese': Të rrëzohet neni i Kodit Zgjedhor për ndarjen e mandateve! Kryemadhi e Topalli të bëjnë të njëjtën gjë

Partia Bindja Demokratike, me koordinator Astrit Patozin, është e para që shfrytëzon Gjykatën Kushtetuese menjëherë pas bërjes së saj funksionale. Paraditen e sotme Bindja Demokratike dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për rrëzimin e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton shpërndarjen e mandateve të Kuvendit të Shqipërisë, duke e konsideruar atë në kundërshtim flagrant me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut.

Përmes një njoftimi Bindja Demokratike bën me dije se në dokumentin e dorëzuar prej anëtarit të bordit të Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj, argumentohet antikushtetueshmëria e të ashtuquajtuarit herës në shpërndarjen e mandateve, si një element që cenon barazinë e votës dhe që praktikisht bie ndesh me parimin e listës së hapur të sanksionuar në kushtetutë.

"Tani mbetet në dorë në Gjykatës Kushtetuese për ta marrë në shqyrtim këtë kërkesë, në mënyrë që t’i paraprihet aplikimit të Kodit Elektoral, përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

Me dorëzim e kësaj kërkese Bindja Demokratike përmbush një detyrim përpara vendit dhe qytetarëve shqiptarë, në funksion të objektivit për zgjedhje të lira dhe të ndershme, i cili cenohet rëndë nga neni 163 i Kodit Zgjedhor, i miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca e Edi Ramës", thuhet në njoftim.

Neni 163 i Kodit Zgjedhor

Ndarja e mandateve brenda koalicionit

1. Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve brenda koalicionit në çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që secila parti pjesëtare e koalicionit ka marrë në zonën zgjedhore përkatëse dhe numrit të mandateve që koalicioni ka fituar në zonën zgjedhore përkatëse.

2. Numri i votave të vlefshme të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë tek të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Në rast se herësi që përftohe  nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

3. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin, të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen brenda koalicionit në zonën zgjedhore përkatëse.

4. Një parti politike përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni. Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka fituar numrin më të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre partive. Shorti hidhet publikisht në KQZ, në prani të subjekteve të interesuara.

5. Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike, sipas këtij neni, KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike, në bazë të renditjes së kandidatëve në listë, të depozituar sipas pikës 4 të nenit 67 të këtij Kodi, në rend zbritës, duke filluar nga numri rendor një.

6. Kryetari i partisë, i regjistruar në më shumë sesa një listë, sipas pikës 3 të nenit 67 të këtij Kodi, i cili ka fituar mandat në më shumë se një zonë zgjedhore, mban vetëm mandatin e fituar në zonën zgjedhore ku lista fituese ka marrë numrin më të vogël të votave, sipas përllogaritjes së neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi. Mandatet e tjera të fituara nga kryetari i partisë u shpërndahen kandidatëve të tjerë, që renditen menjëherë pas tij në listën shumemërore përkatëse.

7. Shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Vendimi mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor, sipas procedurave të pjesës XI të këtij Kodi, nga subjektet e parashikuara në pikën 1 të nenit 124, përfshirë edhe kandidatët e listës shumemërore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:31
Edhe Murrizi ankimon mënyrën si ndahen mandatet: Ftoj edhe Topallin dhe Kryemadhin ta bëjnë një gjë të tillë (VIDEO)

Lëvizja Demokratike Shqiptare me përfaqësues Myslim Murrizin vetëm pak minuta pas Bindjes Demokratike ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar nenin 163 të Kodit Zgjedhor. Edhe Murrizi shprehet se ky nen barazinë e votës.

“Kemi ngritur në Gjykatën Kushtetuese një padi për nenin 163 të Kodit Zgjedhor, i cili u heq të drejtën shqiptarëve që të zgjedhin me votë direkte përfaqësuesit e tyre. Megjithëse Gjykata Kushtetuese ishte e ndarë 2,2,2 mes tre palëve, unë shpresoj që presioni të ruajë njëlloj neutraliteti të kësaj gjykate. Do të ftoja subjektet politike që ta kundërshtojnë këtë Kod Zgjedhor, dhe t'i bashkohen kërkesës sime, ftoj edhe zonjën Topalli, që në rast se nuk kanë karamelen në fyt që të na bashkohen. I bëj thirrje dhe zonjës Kryemadhi që të na bashkohet, pasi Ilir Meta u fut në grevë urie në vitin 2008 për ndryshimet e njëanshme në Kod”, ka deklaruar ndër të tjera z. Murrizi.

K.T./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare