Gjykata Kushtetuese nuk merr dot vendim, rrëzohet kërkesa e PD për Komisionin Hetimor për çështjen 'Becchetti': Nuk u arrit numri i votave të nevojshme

Gjykata Kushtetuese nuk merr dot vendim, rrëzohet kërkesa e PD për Komisionin Hetimor për çështjen 'Becchetti': Nuk u arrit numri i votave të nevojshme

Gjykata Kushtetuese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike, për të ngritur një Komision Hetimor për çështjen Becchetti. Vendimi është marrë ditën e sotme, teksa në konkluzionin përfundimtar Kushtetuesja shprehet “në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje Gjykata Kushtetuese konstatoi se nuk u arrit numri i kërkuar i votave për vendimmarrje.

Partia Demokratike kishte si shtyllat e saj kryesore të aksionit opozitar, Komisionin Hetimor për Inceneratorët, për zgjedhjet e 25 prillit si edhe për të hetuar për çështjen Becchetti, sipërmarrësit italian i cili fitoi gjyqin kundër shtetit shqiptar për vendimin e mbylljes së biznesit të tij në vendin tonë, duke përfituar edhe një shpërblim prej mbi 100 milionë eurosh. Ngritja e kësaj të fundit, u refuzua me forcë nga Partia Socialiste me argumentin se shkel parimin e konfidencialitetit madje sipas tyre Partia Demokratike po shfrytëzohet nga palë të treta.

Pak ditë më parë, biznesmeni italian Francesco Becchettin u dënua me 17 vite burg, ku akuzohet se përmes kompanive të tij kishte krijuar një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash. Biznesmeni italian vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar. Becchetti u akuzua për 4 vepra penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 10.03.2022 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (jo më pak se ¼-ta e deputeteve), me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Deklarimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 80/2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjellë si pasojë vendimin e Arbitrazhit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”””. 
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje Gjykata Kushtetuese konstatoi se nuk u arrit numri i kërkuar i votave për vendimmarrje, sipas nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, në lidhje me legjitimimin e ¼-ës të deputetëve që kanë vënë në lëvizje gjykimin kushtetues në raport me ¼-ën e deputetëve që kanë kërkuar ngritjen e komisionit hetimor.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:

- Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese". 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:49
Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e PD pas mosngritjes së komisionit hetimor për Becchettin, Bardhi: Po bëhet mburojë e korrupsionit dhe paligjshmërisë qeveritare

1645473889_GazmentBardhi4625x450.jpeg

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi  kërkesën e PD pas mosngritjes së komisionit hetimor për Becchettin, ka ardhur edhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshem, Gazment Bardhi. Ky i fundit, tha se Gjykata kushtetuese po bëhet mburojë e korrupsionit dhe paligjshmërisë qeveritare.

“Banaliteti me të cilin Gjykata Kushtetuese ka penguar ngritjen e Komisionit Hetimor për dëmin prej më shumë se 110 milion euro ndaj shtetit shqiptar, shkaktuar nga Edi Rama dhe qeveria e tij, provon edhe njëherë se kjo çështje ka nevojë urgjente që të hetohet! Asnjë arsye banale dhe jo kushtetuese nuk duhet të pengojë opozitën ti shkojë deri në fund kësaj çështje. Keqardhje që GJK e reformuar po “reformon” vetveten në dëm të interesit publik, duke u bërë mburojë e korrupsionit dhe paligjshmërisë qeveritare”, tha Bardhi. 

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë