Vivienne, vajza e aktorëve të njohur Angelina Jolie dhe Brad Pitt ka hequr zyrtarisht mbiemrin e të atit. Gjykata e Los Angeles ka miratuar kërkesën e saj për ndryshimin ligjor të emrit, duke vendosur të mbajë vetëm mbiemrin e nënës.
Emri i saj ligjor është tashmë Vivienne Marceline Jolie, në vend të Vivienne Marcheline Jolie-Pitt.
18-vjeçarja kishte paraqitur kërkesën për ndryshimin e emrit më 20 korrik, vetëm pak ditë pasi kishte festuar ditëlindjen së bashku me vëllain e saj binjak, Knox. Në dokumentet gjyqësore, Vivienne kishte përmendur arsye personale për vendimin, pa dhënë më shumë detaje.
Megjithatë, ajo kishte nisur ta përdorte publikisht mbiemrin Jolie prej më shumë se dy vitesh. Në vitin 2024, emri i saj u shfaq si Vivienne Jolie në programin e muzikalit The Outsiders në Broadway, ku kishte bashkëpunuar me të ëmën.
Vivienne nuk është e vetmja nga fëmijët e ish-çiftit që ka vendosur të distancohet nga mbiemri i të atit. Edhe motra e saj Zahara, ka ndryshuar zyrtarisht emrin në Zahara Marley Jolie, ndërsa Shiloh dhe Maddox kanë hequr gjithashtu mbiemrin Pitt.
Ndërkohë për Knox nuk ka konfirmim nëse ka nisur procedurat ligjore për ndryshimin e emrit, megjithëse së fundmi është shfaqur publikisht pa mbiemrin e të atit. Pax, nga ana tjetër vazhdon të mbajë mbiemrin Pitt.
Vendimi i Vivienne vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Angelina Jolie dhe Brad Pitt kanë qenë prej vitesh në qendër të vëmendjes mediatike, veçanërisht pas ndarjes së tyre dhe betejave të gjata ligjore.



Komente
Komento