Gjykata Ndërkombëtare Penale, hetim zyrtar për krime në Venezuelë

Gjykata Ndërkombëtare Penale, hetim zyrtar për krime në Venezuelë

Gjykata Ndërkombëtare Penale

Gjykata Ndërkombëtare Penale po fillon një hetim zyrtar për krime ndaj njerëzimit në Venezuelë nën regjimin e Presidentit Nicolas Maduro. Me çeljen tashmë të hetimit zyrtar, Venezuela iu bashkohet disa vendeve afrikane që po hetohen për krime nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Çelja e dosjes u njoftua nga Kryeprokurori Karim Khan në përfundim të një vizite tre-ditore në Karakas, ndërsa nënshkruante një memorandum mirëkuptimi me zotin Maduro. Marrëveshja do t’u mundësojë autoriteteve venezueliane të ndërmarrin hapa për të përmbushur përgjegjësitë e tyre në kuadrin e dokumentit ndërkombëtar që krijoi këtë gjykatë të mbështetur nga OKB-ja.

“Zyra ime do të veprojë sipas statutit të saj. Jam plotësisht i ndërgjegjshëm për ndasitë gjeopolitike që ekzistojnë në Venezuelë. Ne nuk jemi entitet politik. Ne udhëhiqemi nga parimet e ligjshmërisë dhe të shtetit ligjor, dhe u kërkoj të gjithëve të na japin hapësirën e duhur ndërsa hyjmë në këtë fazë të re”, tha kryeprokurori Khan.

Presidenti Maduro shtoi se megjithëse qeveria venezueliane nuk mbështet vendimin për çeljen e hetimeve, ajo do të bashkëpunojë me prokurorin.

“Kemi nënshkruar një marrëveshje që garanton bashkëpunim, mbështetje të ndërsjelltë dhe dialog konstruktiv në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë mes shtetit venezuelian, institucioneve të tij dhe zyrës së prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale”, tha Presidenti Maduro.

Pak më herët, dhjetëra venezuelianë u mblodhën për t’i kërkuar prokurorit Khan të hetojë ato që i quajnë shkelje të qarta të sundimit të shtetit ligjor në vendin e tyre.

Atyre iu bashkua në vazhdim një grup më i madh njerëzish që marshuan së bashku në formë proteste me shpresën për të tërhequr vëmendjen e prokurorit.

“Erdhëm këtu për të protestuar dhe që të na dëgjojë kryeprokurori Khan, pasi ne jemi nënat të cilave u janë marrë fëmijët”, tha profesorja Rosa Perez.

Në një dokument të bërë publik më 10 gusht, paraardhësja e prokurorit Khan konkludon se ekzistojnë “baza të arsyeshme” për të filluar një hetim për krime ndaj njerëzimit në Venezuelë.

Me kërkesën e disa vendeve të Amerikës Latine që kundërshtojnë regjimin Maduro, Gjykata Ndërkombëtare Penale filloi në vitin 2018 një hetim paraprak për abuzimet.

Me çeljen tashmë të hetimit zyrtar, Venezuela iu bashkohet disa vendeve afrikane që po hetohen për krime nga Gjykata Ndërkombëtare Penale./ VOA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit