Gjykata në hall me Berishën, s’ka vend ku ta ‘kyçë’ veçse në qeli?!

Gjykata në hall me Berishën, s’ka vend ku ta ‘kyçë’ veçse në qeli?!

Sali Berisha

Pavarësisht se është shtyrë për të mërkurën seanca në ngarkim të Sali Berishës, për dhënien e vendimit për masën e sigurisë, të gjitha gjasat janë se po shkohet drejt arrestit në shtëpi.

Këtë masë sigurie ka kërkuar SPAK, ndonëse nuk jemi shumë të qartë nëse një kërkesë të tillë ndaj Gjykatës së Posaçme e ka bërë në kushtet e ndjekjes shkallë shkallë të masave të sigurisë, kuptohet në ashpërsim të tyre, apo sepse kërkon ta lërë jashtë qelisë, ashtu të ‘zhveshur’ dhe të destabilizuar, që shqiptarët ta shohin se nga kush janë qeverisur sëpaku për 13 vite.

E themi këtë sepse akuza për të cilën po hetohet Sali Berisha e për këtë arsye po merret dhe masa e sigurisë, parashikon një dënim deri në 12 vite burg nëse vertetohet me prova dhe fakte. E ka deklaruar vetë SPAK këtë parashikim ligjor, në kërkesën ndaj Kuvendit për të marrë autorizimin për arrestin e Berishës.

“Shokët” e Berishës me të njejtën akuza kanë marrë si masë sigurie nga kjo gjykatë arrestin me burg dhe janë hetuar në kushtet e izolimit të plotë në qeli. Nuk po përmendim emra, por të gjithë ata që janë akuzuar për korrupsion pasiv, zyrtar i lartë apo i ulët qoftë, kanë përfunduar në qeli.

Për Berishën po veprohet me një standard ndryshe, duke i paralajmëruar një masë më të butë sigurie, sigurisht për shkak të moshës së tij të pleqërisë, ndonëse sjellja e tij politike nuk po tregon për asnjë moment se ai është në këtë gjendje fizike sa të mos përballojë qelinë deri në momentin e vendimit përfundimtar për akuzën ndaj tij.

Pastaj të shpallet i fajshëm apo të lirohet nga të gjitha akuzat e të jetojë i lirë si t’ia dojë kokrra e qejfit, si gjithnjë kur ka thënë dhe ka bërë si ia ka dashur po kokrra e qejfit. Madje dhe duke vjedhur e marrë jetë njerëzish gjatë qeverisjes së tij, duke minuar demokracinë dhe ushtruar shantazh ndaj drejtësisë. E ka fiksuar qeveria amerikane këtë, në argumentimin e vendimit për shpalljen ‘non grata’ familjarisht të Berishës, nuk po e shpikim ne.

Nuk po përmendim se çfarë ka bërë Berisha gjatë tërë këtyre ditëve teksa priste vendimin e gjyqtares së posaçme Irena Gjoka ndaj tij, duke filluar nga kërcënimet e fyerjet ndaj gjykatëses në fjalë, prokurorit të çështjes Arben Kraja, të cilët i ka cilësuar banditë dhe pjesë të grupeve të ristrukturuara kriminale, sigurimsa dhe të shkarkuar për abuzim me detyrën. Anipse Irena Gjokën, Berisha e shkarkoi si gjyqtare kur ishte kryetar i KLD dhe 6 muaj më vonë e riemëroi sërish në një gjykatë tjetër. Megjithëse kreu i KLD, apriori Presidenti, post honorifik është, por Berisha me dhe pa qënë kryetar e ka lëvizur drejtësinë si ka dashur! Dhe këtë nuk lë rast pa e e treguar.

Nuk i ka ndalur akuzat Berisha deri tek qeveria e Edi Rama. Këtë të fundit e ka cilësuar diktator, që nuk mundet me zgjedhje por duhet përmbysur, pasi i blen zgjedhjet, ka shitur vendin, ka bërë korrupsion. Akuzat kanë arritur në tonalitete tepër të larta ndaj tij prej Berishës sa e ka cilësuar diktator dhe më të keq se Hitleri, Enveri, Milosheviçi dhe Vuçiçi, apo të gjithë bashkë.

Dhe të gjitha këto akuza i bën Berisha, njeriu që për 32 vite me radhë në qeverisje apo në opozitë ka vrarë, ka vjedhur votat e paratë e shqiptarëve që në qeverisjen e parë, në të dytën i masakroi fare. Nga zyrtarë perëndimorë të asaj kohe qeverisja e tij është etiketuar si ‘qeverisje gagstere”, ka thyer embargon e OKB dhe ka furnizuar me naftë makinën ushtarake të Milosheviçit, ka përndjekur ish luftëtarët e UÇK, ka vjedhur votat më 26 maj 1996, ka ngritur firmat mashtruese piramidale, ka shkatëruar shtetin nga themelet në vitin 1997, ka bërë një grusht të dështuar shteti në vitin 1998, dhe një tentativë në vitin 2000.

Në qeverisjen e dytë biznesi i vdekjes i djalit të tij në Gërdec hodhi në erë në fshat të tërë, vrau 26 njerëz të pafajshëm e plagosi mbi 300 të tjerë, më 21 janar 2011 Garda e Republikës me urdhër të tij tij vrau katër demonstrues të opozitës në mes të bulevardit. Berisha dhe e ka vjedhur këtë popull përmes aferës së CEZ-DIA, Rrugës së Kombit, privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani’ në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Futi tërë kompanitë serbe në ekonominë shqiptare, me në krye përfaqësuesin më të ‘denjë’, mikun e tij Damir Fazlliç, ndërkohë që për t’i bërë ‘majë’ sjelljes anti-kombëtare i fali Greqisë detin, pra pjesë të territorit shqiptar, dhe tashmë në fund la ‘litarin jashtë’, duke kandiduar Fredi Bejlerin në Himarë për të lënë Shqipërinë në përplasje me fqinjin tonë jugor Greqinë.

Pra e thënë në gjuhën më të thjeshtë të mundshme, Berisha për 32 vite i ka punuar ‘qindin’ këtij populli, duke e vrarë, vjedhur, shtypur dhe tradhëtuar deri në asht. Deri aty ku s’ka ku të vejë më.

Tashmë, shqiptarët ia kanë kthyer ‘reston’ një më një, duke e lënë rrugëve vetëm, pa asnjë mbështetje, dhe duke e detyruar të bëjë herë ‘sarhoshin’, herë ‘martirin’, herë ‘viktimën’ e shumëherë të destabilizuarin total, ku është vërtetë çudi se si një tufë e vogël ndjekësish vazhdon ta dëgjojë duke tundur kokën në shënjë miratimi, për çfarëdo marrëzie që ai nxjerr nga goja.

Ndërkohë që demokratët treguan qartë se nuk e besojmë më, e shohin si një pengesë për të bërë opozitë, e kanë lënë vetëm në hallin dhe ‘iluminimin’ e tij, duke mos iu gjendur pranë dhe në mbështetje as në ditën më të vështirë për të, atë të protestës kundër arrestit, sepse i ka vjedhur rëndshëm shqiptarët. Paçka se vjedhja quhet korrupsion në gjuhën ligjore, por vjedhje mbetet.

Ndonëse është braktisur në fatin e vet nga të gjithë, duke i mbetur vetëm familja, po shohim se dhe organet e drejtësisë kanë rënë në hall me Berishën. Nuk dinë çfarë mase t’i japin. T’i japin masën e arrestit në shtëpi, nuk dinë ku ta ‘kyçin”, pasi në tentativën foshnjore dhe të kohëve të hershme për të treguar se nuk ka vënë asnjë pasuri në tërë kohën e qeverisjes së tij, Berisha mundohet të mashtrojë ata pak shqiptarë që e ndjekin, se është i pastrehë.

Në fakt ligjërisht Berisha nuk disponon asnjë banesë nën administrimin e tij, megjithëse nuk ka shqiptar që e beson se Berisha s’ka mundur të blejë një shtëpi. As se vajza e tij është ‘shtresë e mesme’. E kishte në vitin 1990 një apartament në Brakë, të përfituar nga komunizmi. Të paktën të tregojë nga i dha asaj banese, që mbeti i pastrehë. Nuk besojmë se e shiti dhe futi lekët në firmat piramidale për të fituar diçka, pasi ishte vetë ‘pronari’ i këtyre skemave mashtruese dhe e dinte se çfarë do të ndodhte sikurse ndodhi, ku shqiptarëve iu grabitin në vitin 1997, plot 1.2 miliardë dollarë kursime dhe pasuri.

Thotë se banon tek vajza e tij Argita Malltezi Berisha. Për hir të së vërtetë vila e stërmadhe miliona euroshe në Gjirin e Lalzit dhe apartamenti në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë janë nën sekuestro, pas arrestit ndaj Jamarbër Malltezit të akuzuar për pastrim parash. Nuk dimë të ketë vendosur gjykata për heqjen e kësaj mase sekuestroje, kështu që dhe Argita është pa shtëpi.

Dëshira e Berishës për të marrë arrestin dhe për ta ‘vuajtur’ në selinë e PD nuk mund të realizohet, pasi selia buzë Lanës jo vetëm që nuk është pronë e Berishës, por as e Foltores. E ka në ngarkim me qira PD e Lulzim Bashës që pret ta marrë me fillimin e vitit të ri 2024. Pra as selia e PD nuk mund të përdoret për të kryer masën e sigurisë arrest në shtëpi. Për t’i marrë një banesë me qira Berishës, drejtësia mund të përballet si me rastin e turkut Abdylaziz trafikant heroine, i cili u ‘kyç’ diku andej nga pallater e Malajzianëve, pas disa kohësh u zhduk nga qarkullimi pa leje, për t’u shfaqur vite më vonë në përbërje të grupeve terroriste.

Ndaj themi se Gjykata e Posaçme ka rënë në hall me Berishën, pasi nuk ka ku ta mbyllë për të qëndruar nën ‘arrest në shtëpi’, deri sa gjykata të japë vendimin përfundimtar për akuzën ‘korrupsion pasiv’. Një nga mundësitë e shfaqura është që ta mbyllin në një banesë, sido që të jetë dhe të ruhet me një togë policësh, për të mos ikur, lëvizur, bërë ndonjë takim me popullin apo të mos shfaqet papritmas në sallën e Parlamentit me tymuese në dorë. Pra për ta mbyllur dhe ruajtur non stop si një kriminel të dorës së parë. Pa e lënë të komunikojë me askënd jashtë përtej njerëzve me të cilët banon. Pra vetëm me bashkëshorten Lirie.

Mundësia e dytë që ekziston, dhe që mund të zgjidhë të gjitha hallet e drejtësisë dhe të policisë është mbyllja e Berishës në një banesë pa qira. Që i bie të jetë qelia e burgut. Ligji e parashikon një masë të tillë, pasi akuza që ka mbi supe i jep një dënim prej 12 vitesh, anipse SPAK kërkoi arrest në shtëpi. S’ka pse të ketë frikë gjykata për Berishën se për shkak të moshës së thyer nuk e përballon. E përballon madje shumë mirë, është i fortë. Për më tepër e ka nën ruajtje pa kosto. Më mirë ta bëjë këtë të mërkurë arrestin me burg, sepse Berisha as që e çon në mendje të zbatojë vendimin e Gjykatës që të mos komunikojë me askënd veç familjes gjatë “kyçjes” në shtëpi, duke bërë që sërish të kërkohet masën më e ashpër arresti me burg për Berishën.

Mbi të gjitha i plotëson dëshirën për arrestim me burg, duke e lënë në ëndrrën e tij të “Mandelës’ shqiptar se do përmbysë Ramën që nga burgu. Dhe ju garantojmë se me mbylljen e Berishës në qeli, do të dilnin nga ‘ngujim’ ku i ka futur ai, me mijëra e mijëra demokratë. Gjykata kështu do bënte sevap dhe me opozitën që do të merrte një drejtim, jo të mbetet në kaos si tani.

Megjithatë drejtësia është në hall me të, s’ka ku ta mbyllë për masën e sigurisë që ka kërkuar SPAK. Eshtë vërtetë një kasavet ky për drejtësinë, që me shpresë të Zotit do të gjendet një zgjidhje sa më afër dëshirës së vetë Berishës. Java

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • labi: 26/12/2023 21:24

    Shume i drejte shqetesimi dhe proozimi i artikullshkruesit zotit Jakin Morena.Sa te merret gjykata here pas here me kete pizeveng kastravec kriminal,duke propozuar here nje mase e here nje tjeter le ta rrase ne nje shtepi pa qira,meqe s'ka dhe adrese te sakte (zyrtarisht te pakten) dhe pas gjyqit le te veje atje ku do vendose perfundimisht gjykata.Kjo eshte zgjidhja me e mire dhe me e drejte.Plotesohet njekohesisht dhe deshira e mbi 90% te popullit shqiptar qe ta shohe kete djall me fytyre njeriu me byzylyke ne duar,ashtu sic e shpreh dhe videoklipi i fundit ne rrjet me kengen e te ndjerit Francesk Radi me titull "Burgu i Burrelit" etj etj.Shpresoj qe zonje Irena Gjoka ta zgjidhe kete nyje gordiane njehere e mire!

    Përgjigju
  • Ndergjegja: 26/12/2023 21:05

    Nese salehu do te arrestohet duke e izoluar ne burg do te jete veprimi me korrekt dhe gjykimi te mos shtyhet ne kalendat greke...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja