TIRANË, 10 Shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/- Gjykata e Vlorës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e sekuestros preventive për objektin godinë banimi dhe shërbime 3-8-10-11 kate dhe 1-kat nën tokë në lagjen "Hajro Çakërri" Vlorë, i ndërtuar nga subjekti ndërtues "Turi&M.Z.B" sh.p.k, si dhe u vendos nën  sekuestro edhe zyra e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.
Nga hetimi i Prokurorisë, rezulton se ky ndërtim (pallati 11-katësh) dyshohet se është produkt i veprave penale të "falsifikimit të dokumenteve..." dhe "mashtrimit...", vepra për të cilat është vendosur nga gjykata masa e sigurisë "arrest me burg" për përfaqësuesin ligjor të shoqërisë së ndërtimit, shtetasin Artur Haxhi. Ndërsa sa i takon zyrës, hetuesia ka kërkuar sekuestrimin saj për arsye dokumentacioni.
Konkretisht tek zyra e Gjikës kërkohet librin i protokollit për mbledhjet e KRRT së Vlorës. Në fakt ky libër duhej të ishte në zyrën e arshivës, por në momentin e arrestimit, kryebashkiaku ka bërë të ditur se libri gjendet në zyrën e tij.
Po ashtu, për veprat penale të "Shpërdorimit të detyrës..."; "falsifikimit të dokumenteve..."; "ndërtimit të paligjshëm..." dhe "veprime që pengojnë hetimin..." gjatë hetimit për këtë ndërtim, gjykata ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" për shtetasen Doriana Sulaj, zyrtare e lartë në Bashkinë e Vlorës, si edhe u vendos fillimisht masa "arrest me burg" për kryetarin e Bashkisë Vlorë, shtetasin Shpëtim Gjika, masë e cila u zëvendësua më pas në 'detyrim për paraqitje..." për shkak të gjendjes shëndetësore të tij. /a.g/