Jakup Krasniqi shprehet optimist për vendimin që Gjykata Speciale pritet të japë më 16 shtator. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës deklaroi se beson se procesi gjyqësor do të konfirmojë pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, Krasniqi tha se është i bindur se, pas shqyrtimit të të gjitha fakteve, drejtësia do të dalë në vend dhe lufta çlirimtare do të marrë vlerësimin që meriton.

"“Nuk kam asnjë dyshim se në fund, kur të peshohen të gjitha faktet, drejtësia do të triumfojë dhe pastërtia e luftës sonë çlirimtare do të konfirmohet plotësisht. Kam pasur fatin dhe nderin e jashtëzakonshëm të jem zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Armët e mia kanë qenë LAPSI dhe FJALA, përmes tyre kam prezantuar të vërtetën dhe vuajtjet e popullit tim para botës demokratike. Besoj fuqishëm se ky proces do të shërbejë për të vërtetuar para historisë se lufta jonë ishte një përpjekje e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme për liri”, tha ai.

Ai theksoi se, sipas tij, askush nuk mund ta ndryshojë mënyrën se si historia e ka regjistruar luftën e UÇK-së, duke shtuar se Perëndimi e njeh sakrificën e popullit të Kosovës dhe se organizata nuk mund të etiketohet si kriminale apo terroriste.

Krasniqi u ndal edhe te situata politike në Kosovë, ku bëri thirrje për më shumë unitet rreth institucioneve dhe për ruajtjen e partneriteteve strategjike, duke theksuar se sfidat kërkojnë një vizion që shkon përtej cikleve të zakonshme politike.

“Ndërtimi i shtetit nuk është kurrë proces i lehtë, prandaj mesazhi im për ata që udhëheqin sot është se pushtetet dhe mandatet qeverisëse janë të përkohshme, por Republika e Kosovës është e përhershme. Në këtë rrugëtim, kurrë nuk duhet të harrojmë çmimin e lartë njerëzor që është paguar për institucionet që gëzojmë sot. Kosova thjesht nuk e ka luksin për përçarje të brendshme artificiale apo për interesa të ngushta partiake. Sfidat tona, si ato të brendshme, ashtu edhe ato në skenën ndërkombëtare e gjeopolitike, kërkojnë një vizion strategjik afatgjatë që shkon përtej mandateve katërvjeçare”, theksoi Krasniqi.

Një mesazh pati edhe për familjen dhe të rinjtë, të cilëve u kërkoi të mos harrojnë se liria e Kosovës është arritur me sakrifica të mëdha dhe se mbrojtja e saj mbetet përgjegjësi e çdo brezi.

"Dua që fëmijët dhe nipërit e mi ta kuptojnë se liria që gëzojnë sot nuk erdhi vetvetiu, çmimi i saj vazhdon të paguhet. Porosia ime për ta është e qartë: të mos ia shesin kurrë shpirtin djallit, pavarësisht çmimit apo presioneve që mund të kenë. Kjo kohë e largësisë do të kalojë, por ajo që mbetet përjetë është dinjiteti dhe emri i pastër që po u lëmë trashëgimi”, tha ai.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgimin e Hagës që nga fundi i vitit 2020. Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së vitit 1999, ndërsa prokuroria ka kërkuar dënimin e secilit me nga 45 vite burg.