Mjaftuan vetëm pak minuta stuhi për të shkaktuar kaos në Shkupin pasditen e së martës . Bilanci deri tani është nëntë persona të lënduar, 2 prej tyre në gjëndje të rëndë, ndërsa dëmet materiale janë të shumta. Kryebashkiaku i Shkupit, Orce Gjorgjievski, tha se janë regjistruar mbi 1.000 thirrje për ndihmë nga qytetarët . Sipas tij, më shumë se 50 ekipe dhe rreth 1.000 punonjës të ndërmarrjeve publike janë angazhuar në terren për hapjen e rrugëve të bllokuara. Dëme janë raportuar edhe në Kumanovë dhe në Tetovë.
Ndërkohë, autoritetet meteorologjike paralajmëruan se moti i keq që përfshiu Shqipërinë mbrëmjen e së martës po lëviz drejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas autoriteteve atje, priten reshje intensive shiu dhe breshër, megjithatë era parashikohet të jetë më e dobët se ajo që goditi Shkupin gjatë ditës. Paralajmërimi për këtë situatë ishte dhënë që në mëngjes nga Qendra Europiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX), e cila e cilësoi si një nga situatat më të rrezikshme të motit në rajon.
Sipas meteorologëve, kushtet atmosferike favorizonin krijimin e stuhive shumë të fuqishme mbi zonat malore të Ballkanit me lëvizje të shpejtë drejt juglindjes. Për këtë arsye, ESTOFEX shpalli nivelin 3 të rrezikut për jugun e Kroacisë, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën, ndërsa Shqipëria dhe jugu i Serbisë u përfshinë në zonën ku parashikoheshin stuhi të forta, të shoqëruara me erëra të fuqishme, reshje intensive dhe breshër.
Komente








