Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Thaçi ka thënë se askush nuk duhet t’u frikësohet iniciativave qytetare. Sipas tij, veprimet ligjore dhe kushtetuese mund të jenë të papëlqyeshme apo zhgënjyese, por nuk i prishin raportet me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n.
Thaçi ka ritheksuar se Gjykata Speciale është padrejtësi historike, por e ka shtyrë përpara për hir të ruajtjes së partneritetit me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në. Sipas tij, krijimi i Speciales më tepër ka qenë lojalitet i Kosovës ndaj propozuesve sesa ka qenë i nevojshëm dhe bindje se duhet të ndodhë diçka e tillë.
Prandaj, presidenti Thaçi ka thënë se ky lojalitet i Kosovës nuk duhet të keqpërdoret. Sidoqoftë, bazuar në raportin e publikuar nga organizatat joqeveritare, i cili është i bazuar në hulumtim të opinionit, 51 për qind e shqiptarëve të Kosovës janë shprehur të gatshëm të protestojnë në rast se Gjykata Speciale i akuzon ish-drejtuesit e UÇK-së.
Madje, 36 për qind e tyre, janë shprehur se do të ishin në gjendje të vepronin për ta parandaluar ndjekjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Perceptimi publik për sigurinë e dëshmitarëve është i ulët. Rreth 82 për qind e serbëve dhe 49 për qind e shqiptarëve të anketuar, besojnë se nuk ka siguri për të dëshmuar në Gjykatën Speciale./ Zëri
dy.b/shqiptarja.com








