Gjylameti tërheq firmën nga lojërat
e fatit,Erjon Braçe ankohet për LSI

Gjylameti tërheq firmën nga lojërat<br />e fatit,Erjon Braçe ankohet për LSI
Deputetja socialiste, Blerina Gjylameti tërhiqet nga projektligji për kazinotë, i cili mban firmën e saj. Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist ditën e djeshme, ajo i është ankuar Gramoz Ruçit se nuk kishte firmosur për atë përmbajtje të projektligjit, i cili shtyn me dy vjet zhvendosjen e kazinove jashtë qytetit.

Edhe pse rrethanat se si deputetja ka firmosur një iniciativë ligjore pa e lexuar ose mbi një letër të bardhë janë të paqarta, Gjylameti është shprehur se do të tërheqë zyrtarisht në Kuvend pjesëmarrjen e saj në këtë nismë.

Një tjetër shqetësim është ngritur nga ministri i energjetikës, Damian Gjiknuri, i cili ka thënë se masat për disiplinimin e tregut të bombolave të gazit mund të vështirësojnë furnizimin me gaz të familjarëve gjatë dimrit.

Shqetësimi më i fortë duket se ka qenë i dy deputetëve të Qarkut të Fierit,  Erjon Braçe e Arben Çuko, të cilët jo për herë të parë, ankohen për drejtorët e bujqësisë që drejtohen nga LSI. Ata thanë  se vaksinat për dermatozën nodulare shpërndahen vetëm tek fermerët e LSI-së.

Debatet në grupin e PS

Gramoz Ruçi: Këtë javë nuk do të kemi seancë plenare, pasi dita e enjte është ditë pushimi zyrtarisht. Ne menduam fillimisht që këtë të mërkurë të kishim një seancë, pastaj ramë dakord që javën që vjen të kemi dy seanca, duke i dhënë kështu mundësi deputetëve dhe komisioneve të shqyrtojnë me qetësi dhe saktësi buxhetin që do të votohet në 15 dhjetor.

Blerina Gjylameti: Zoti kryetar, ju lutem unë kam një pyetje. Kur mua mu kërkua firma për projektligjin për kazinotë mu tha që kjo ishte nismë në emër të grupit. A mund të më sqaroni ky është vendim i grupit apo individuale?

Gramoz Ruçi: Vendimi ka qenë individual, nuk ka patur vendim të grupit, por edhe mund të ishe konsultuar.

Blerina Gjylameti: Unë personalisht nuk e mbështes këtë projekt. Grupi duhet të shprehej për këtë, sepse jemi duke marrë kosto mbi shpatulla kot. Unë do t’i kërkoj Kuvendit tërheqjen nga nisma, pasi ky është një projekt që nuk mbështetet nga unë.

Gramoz Ruçi: Nuk është nevoja ta zgjasim këtë diskutim, sepse kjo çështje do të diskutohet, kur t’i vijë koha.

Arben Ahmetaj: Nga ky ligj, shteti mbledh afërsisht 2.5 miliardë lekë, dhe kjo shumë do t’i humbte po të mos bëhej.

Damian Gjiknuri: Situata me shitjen e gazit është tejet problematike. Ndaj duhen marrë masa menjëherë, në mënyrë që të mos të na ndodhin incidente të tjera me pasojë humbjen e jetës së qytetarëve. Duhet aktivizuar ligji për gazin që kemi miratuar pak kohë më pare. Unë jam ministër dhe mbaj përgjegjësi edhe ligjore. Nëse ligjin e aktivizojmë tani, mund të sjellim probleme me furnizimin e familjarëve me gaz, pasi jemi dhe stinën e dimrit. Jemi në një situatë të komplikuar, që duhet ta shqyrtojmë situatën.

Erjon Braçe: Në Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë në Lushnjë, që e ka LSI, janë shpërndarë vaksina për dermatozën nodulare vetëm te fermerët e LSI-së. Po vihet re një diskriminim për socialistët. Kjo është një situatë shqetësuese që nuk mund të vazhdojë kur ka kosto drejtpërdrejt tek fermerët. Njerëzit tanë nuk mund t’i lëmë pa mbështetje.

Arben Çuko: Ky është një shqetësim edhe për zonën time. Sapo e marrin vesh që është kryetar dege i PS-së apo anëtar i PS-së nuk marrin vaksina. Mjekët e komisionit të kempit bëjnë gjithashtu favorizime në disa njerëz. Po krijohen problem të paqena për njerëzit.

Erjon Braçe: Është e nevojshme të fusim ca në burg për shpërdorim detyre që të bëhet shembull për të tjerët. Na kanë ardhur në majë të hundës me këtë sjellje arrogante.
 
 
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Ministrja e Jashtme gjermane në Kiev: Më shumë mbrojtje ajrore për Ukrainën

Ministrja e Jashtme gjermane në Kiev: Më shumë mbrojtje ajrore për Ukrainën