Më 13 dhjetor Organizatat e Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë një protestë te ‘Sheshi Skënderbeu’ në Shkup.
“Të dashur shqiptarë, shihemi në Shkup”, shkruhet në faqen zyrtare në Facebook.
Pas këtij njoftimi edhe Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se Sheshi “Skënderbe” do të jetë zëri i fuqishëm i qytetarëve që kërkojnë drejtësi për çlirimtarët.
Ndër të tjera ai thekson se drejtësia për luftëtarët e lirisë nuk mund të ndërtohet mbi akuza politike, montime dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia.
"Pas Prishtinës dhe Tiranës, tani edhe Shkupi do të buçasë për të vërtetën dhe drejtësinë! Sheshi “Skënderbeu” në Shkup do të jetë zëri i fuqishëm i qytetarëve që kërkojnë drejtësi për çlirimtarët tanë.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike. Drejtësia për luftëtarët e lirisë nuk mund të ndërtohet mbi akuza politike, montime dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia.
Ashtu siç qëndruam përkrah luftëtarëve të UÇK-së në Prishtinë dhe Tiranë, ashtu do të qëndrojmë edhe në Shkup, krenarë, të vendosur dhe të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës sonë, të së vërtetës objektive. Më 13 dhjetor, në orën 13:00, të gjithë në Shkup!
Liria nuk gjykohet, liria mbrohet! Lavdi UÇK-së!”, shkruan Ahmeti.
Më 16 nëntor Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, mbajti protestën e radhës në Strasburg, Francë, ku bënë me dije se gjatë këtij tubimi u dorëzuan 285 letra në emër të secilit anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës.
Më 17 tetor Tirana u kthye në kryeqytetin e shqiptarisë, ku mijëra qytetarë bënë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Protestë e ngjashme u zhvillua edhe në Hagë më 14 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.
Komente








