TIRANË- Vetëm 8 ditë pasi ka lindur djalin e dytë, Ajola Xoxa i kërkoi Gjykatës së Posaçme 2 muaj pezullim të procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj, kryebashkiakut Veliaj dhe disa të tjerëve. Argumentimin e kërkesës e mbështeti në 2 nene të Kushtetutës, 1 të Kodit Procedurës Penale, në Kodin e Punës dhe ligjin për sigurimet shoqërore.
“Përtej pamundësisë objektive shëndetësore për të qenë e pranishme në seancë, në këtë fazë të procesit gjyqësor prania ime personale është e domosdoshme për ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes. Duke qenë se gjykimi ka hyrë në një fazë ku merren dhe diskutohen çështje në rëndësi thelbësore për mbrojtjen, unë kërkoj të jem personalisht e pranishme dhe nuk autorizoj mbrojtësin tim të vijojë gjykimin në mungesën time”, thonte Xoxa në deklaratë.
Mbrojtja e Xoxës argumentoi se pas lindjes me operacion, ajo nuk mund të ushtrojë në mënyrë efektive të drejtën e mbrojtjes dhe kërkoi shtyrjen e procesit deri në përfundimin e lejes së lindjes.
"Vullneti i znj. Xoxa është ai i shprehur në kërkesën drejtuar gjykatës. Ajo ka qenë në pamundësi për t'u njohur me përmbajtjen e tyre. Edhe më parë ka qenë me raport mjekësor, por ne kemi përgatitur dhe kemi punuar për kërkesat paraprake. E pandehura ka shprehur qëndrimin e saj, duke bërë të ditur faktin se më 29 qershor ka kryer lindje me operacion dhe nuk mund të komunikojë lirshëm dhe privatisht me mbrojtësit, ndaj nuk mund të realizohet një mbrojtje efektive. Kërkohet shtyrja e seancës deri në përfundimin e raportit të paaftësisë për punë. Sipas Kodit të Punës, kërkohet shtyrja e procesit deri në shuarjen e kësaj problematike. Ligji garanton 63 ditë leje pas lindjes. Sa më sipër, në këtë situatë faktike, duke qenë në pamundësi për të siguruar një mbrojtje efektive, kërkohet pezullimi i procesit, bazuar në të drejtën e çdo nëne", tha avokati Gurali Brahimllari.
Por, Prokuroria e Posaçme e kundërshtoi kërkesën. Altin Dumani argumentoi se ligji parashikon shtyrjen e seancës, por jo pezullimin e gjykimit për shkak të lejes së lindjes. Prokurori Dumani tha se gjykimi ka nisur që muajin shtator, por Xoxa asnjëherë nuk është paraqitur në gjyq, duke shtuar se nëse GJKKO e konsideron të domosdoshme praninë e saj në seanca, atëherë çështja ndaj saj të ndahej.
“Ne mendojmë se janë kushtet për vijimin e procesit gjyqësor. Lidhur me kërkesën e Xoxës, ligji i referohet shtyrjes së seancës, ndërsa avokatët kanë kërkuar pezullimin e gjykimit deri në përfundimin e lejes së lindjes. Ligji nuk parashikon diçka të tillë. Por jemi në kushtet kur e pandehura shprehet se dëshiron të jetë e pranishme. Ky shqyrtim gjyqësor ka nisur në shtator të vitit të kaluar dhe ajo nuk ka qenë e pranishme në asnjë seancë. Nëse gjykata e konsideron të nevojshme praninë e Xoxës, atëherë të ndahet çështja për të”, tha Altin Dumani.
Mbrojtja kundërshtoi argumentin e SPAK se mungesat e mëparshme të Xoxës në seanca mund të përdoren si arsye për rrëzimin e kërkesës.
Gurali Brahimllari: Kundërshtojmë qëndrimin e Prokurorisë, pasi ligji parashikon zhvillimin e pandërprerë të gjykimit. Megjithatë, pezullimi i shqyrtimit parashikohet në raste të caktuara, si kur kryhet një ekspertim apo një vlerësim i gjendjes mendore të të pandehurit. Pra, ka raste kur pezullimi përcaktohet shprehimisht. Në kushtet kur nëna ka kryer lindje me prerje cezariane, jemi në një situatë të tillë. Përderisa ajo është me raport mjekësor, të përcaktuar nga mjeku, si çdo nënë në Republikën e Shqipërisë, kërkojmë të pranohet kërkesa për shtyrjen dhe pezullimin e procesit. Nëse gjykata vlerëson ta ndajë çështjen, kjo nuk do të ishte ekonomike.
Maksim Haxhia: Nuk është argument fakti që herë vjen e herë nuk vjen. Kjo nuk ka lidhje.
Gurali Brahimllari: Nëse gjykata vlerëson ta ndajë çështjen, le ta ndajë, por synimi ynë është garantimi i një mbrojtjeje efektive. Ajo është në bashkëpunim me bashkëshortin dhe të pandehurit e tjerë, ndaj çështja nuk mund të ndahet. Megjithatë, vendimin e ka gjykata.
Pavarësisht se Kushtetuta kërkon mbrojtje të veçantë nga shteti për nënat e reja apo Kodi i Punës e ndalon kategorikisht punën për nënat 63 ditë pas lindjes, GJKKO e rrëzoi kërkesën e Xoxës.
Sipas treshes gjykuese Xoxa nuk ka marrë pjesë asnjeherë deri më tani në gjyq dhe është përfaqësuar nga avokatët. Togat e zeza kanë marrë parasysh vetëm faktin që Xoxa ka lindur me operacion cezarian dhe për këtë seancën e radhës e ka caktuar pas 2 javësh me 21 korrik. Sipas GJKKO një raport barrëlindjeje nuk është paaftësi në punë dhe për këtë jo vetëm që gjyqi nuk pezullohet por edhe Veliajt i pezullohen sërish afatet e paraburgimit.
“Gjykata pasi shqyrtoi kërkesën e Ajola Xoxës, konstaton se e pandehura, që nga paraqitja e kërkesës për gjykim, gjatë shqyrtimit në themel dhe para këtij trupi gjykues, nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë dhe është përfaqësuar nga avokatët.
Nga ana tjetër, gjykata konstaton se provohet se Xoxa ka sjellë në jetë një fëmijë me lindje me operacion. Për t'i dhënë mundësinë reale që të jetë e pranishme në proces, gjykata vendos të shtyjë seancën dhe rrëzon kërkesën për pezullimin e gjykimit.
Nisur nga fakti se është paraqitur vetëm raporti i barrëlindjes, i cili nuk përbën raport paaftësie për punë, gjykata vendos të pezullojë afatet për të paraburgosurit nga kjo seancë deri në seancën e ardhshme, e cila do të zhvillohet më 21 korrik, në orën 10:00”, arsyetoi gjykata.
Edhe një herë avokati i Veliajt e cilësoi këtë një shkelje shumë të rëndë kushtetuese.
“Është një praktikë që po e ndjekim në vijim. Kemi ankimuar vendimet e gjykatës për pezullimin e afateve të paraburgimit. Është procedurë antikushtetuese. Një ndër kërkesat e kemi në Gjykatë të Lartë. Është edhe një Gjyqtari i Apelit që ka çuar në Kushtetuese pikërisht këtë precedent. Ne do vijojmë kërkesat tona deri kur në kushtetuese të marrim atë që na takon”, tha avokati i Veliajt, Plarent Ndreca pas përfundimit të seancës.
Vetë Veliaj nuk ishte i pranishëm as në këtë seancë pasi refuzon të qëndrojë në kafazin e xhamtë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Kliko këtu për deklaratën e plotë të Xoxës

Avokati mbrojtës, Plarent Ndreca e ka quajtur antikushtetues vendimin për pezullimin e afateve të paraburgimit për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Pas seancës së sotme në GJKKO, Ndreca tha se praktika do të ndiqet në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese, të cilat duhet të japin vlerësimin e tyre bazuar në Kushtetutë.
“Kemi ankimuar të gjitha vendimet që ka marrë gjykata për pezullimin e afateve të paraburgimit. Sigurisht, është një procedurë krejtësisht antikushtetuese. Një ndër kërkesat tashmë e kemi në Gjykatë të Lartë. Besoj se Gjykata e Lartë duhet të vlerësojë bazuar në Kushtetutë pasojat e këtyre lloj vendimesh, që tashmë janë krijuar si precedent. Në dijeninë time është edhe një gjyqtar i gykatës së Apelit të Posaçëm që e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese pikërisht këtë proces, këtë precedent, dhe ne do të vijojmë kërkesat tona deri kur në Gjykatën Kushtetuese të marrim atë që na takon, siç kemi bërë në vijim, dhe siç ka rezultuar që kemi pasur të drejtë sa herë ne kemi ngritur pretendime që kanë lidhje me respektimin e standardit kushtetues”, tha ai.
Komente







