Sipas avokatit të Krasniqit, Prokuroria në mënyrë të gabuar ka bërë përpjekje që të lidhë praninë e tij në disa vende krimesh të pretenduara, me kryerjen e krimeve, pa dhënë ndonjë dëshmi apo provë të vetme nëse prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve.

“Ata nënkuptojnë që mund të ketë një lidhje, por pa na e dhënë bazën dhe pa konfirmuar që prania e tij ka kontribuuar në kryerjen e krimeve. Duke thënë thjesht që ka qenë i pranishëm, nuk mund të pretendohet se ekziston një provë”, ka deklaruar avokati Aidan Ellis.

“Krasniqi ka qenë pjesë e një delegacioni që e ka zhvilluar një vizitë në zonën e Llapit në gusht të vitit 1998, por Prokuroria nuk e vërteton që delegacioni të ketë shkuar në qendrat e ndalimit apo që Krasniqi të jetë informuar për ndalime personash. Prokuroria pretendon se Krasniqi ka kaluar edhe në Bajgorë gjatë asaj vizite. Kjo nuk mjafton që të dilet në përfundimin se ai ka pasur dijeni për ndalimet e personave atje”, shtoi ai.

Sipas avokatit, “Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë që Krasniqi ka kontribuuar për krimet që janë kryer në cilësinë e tij si zëdhënës”.


Lajmi kryesor:

Gjyqi në Hagë/ Seanca e gjashtë e deklaratave përmbyllëse, përfundon mbrojtja e Jakup Krasniqit: Të shpallet i pafajshëm! Nisin pyetjet e trupit gjykues