Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi nga Kamza se do të jetë i pranishëm në marshimin që do të zhvillohet nesër në Prishtinë në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Gjatë një takimi me banorët, Balla tha se shqiptarët do të mblidhen në kryeqytetin e Kosovës në orën 14:00 për të shprehur solidaritetin e tyre me komandantët e UÇK-së.

“Nesër, shqiptarët mblidhen në Prishtinë në orën 14:00, në një marshim në mbështetje të komandantëve të UÇK-së. Dua që këtu nga Kamza t’i çojmë një përshëndetje në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe dy komandantëve të tjerë të UÇK-së”, u shpreh Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS theksoi se nuk mund të mungonte në këtë aktivitet, duke e konsideruar pjesëmarrjen si një shprehje të mbështetjes për figurat kryesore të luftës çlirimtare të Kosovës.

Ai shtoi se kjo mbështetje përfaqëson edhe qëndrimin e qytetarëve të Kamzës, duke nënvizuar solidaritetin me ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.