Në Hagë po mbahet seanca për deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Mbrojtja e Selimit përfundoi dhe në orën 13:30 nisi fjala përmbyllëse për Jakup Krasniqin. Trupi gjykues njoftoi se sot mbrojtja e Krasniqit do të ketë në dispozicion tri orë dhe të hënën edhe një orë e gjysmë dhe më pas trupi gjykues do të ketë pyetje.
Avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully, nisi fjalën sot duke paralajmëruar se do t’i trajtonte tri tema në emër të klientit të tij: pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për rolin e Selimit si ministër i Rendit Publik, pretendimet për disa shkrime dore që pretendohet të jenë bërë prej Selimit, dhe më pas për disa përjashtime që mbulon ZPS-ja në dosjen e saj.
Tully nisi me kundërargument për pretendimin e parë të Prokurorisë që Selimi ka pasur kontroll mbi Policinë si ministër i Rendit Publik: "ZPS-ja nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta”.
Mes tjerash, avokati ka përmendur edhe mospërputhjet në dosjen e Prokurorisë, për mënyrën se si i referohet Selimit: diku si person me kontroll operacional mbi policinë, ndërsa diku tjetër pretendon se ai kishte autoritet operacional mbi policinë, dhe që ai ishte i pozicionuar për të udhëzuar persona.
“Po të ketë pasur një rrjet komandimi që do të çonte drejt z. Selimi do të kishte dalë nga provat. Por nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, tha avokatja Furtuna Sheremeti.
Ajo shtoi se “Selimi duhet të shpallet i pafajshëm”, duke theksuar “kërkesa për dënim me 45 vjet është dënim me jetë”.
Të enjten, ekipi mbrojtës i Veselit përmbylli fjalën e tij, duke argumentuar se ish-kryeparlamentari i Kosovës është i pafajshëm dhe duhet të lirohet. Në të kundërt, tha avokati i tij, "do të ishte padrejtësi e madhe".
Mbrojtja e Thaçit është përmbyllur më herët, duke argumentuar se nëse ai dënohet do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike". Prokuroria ka kërkuar që katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë lidhjen e pretenduar të klientit të saj me krimet.
“Prokuroria ka dështuar të vërtetojë lidhjen mes Krasniqit dhe krimeve të pretenduara dhe në veçanti që komunikatat, rregulloret e hartuara nga Jakup Krasniqi kanë ndihmuar, inkurajuar ose kanë pasur ndonjë lidhje me krimet e ngritura në aktakuzë. Në fund, Prokuroria tërhoqi pretendimin e saj se Krasniqi ka vizituar ku kanë qenë persona të ndaluar në Malishevë. Ky ishte i vetmi pretendim i ZPS-së që Krasniqi ka parë me sytë e tij një viktimë që ka qenë në ndalim. Një prokuror i përgjegjshëm nuk do të kishte ngritur kurrë një akuzë të tillë”, tha ajo.
Ajo pretendoi po ashtu se Prokuroria nuk ka bërë punën siç duhet, pasi nuk ka ftuar dëshmitarë kyç që do të ofronin informacione për kontekstin e luftës dhe të ofronin informacione për hierarkinë e UÇK-së.
Ajo e cilësoi si “të shtrembëruar dhe të paplotë” dokumentacionin e ofruar nga ZPS-ja, dhe tha se trupi gjykues do të përballet me hetime selektive të kryera nga organi ndjekës.
Avokatja Venkateswari Alagendra tha se Prokuroria mbështetet në “spekulime dhe pretendime të pambështetura” në akuzat ndaj Krasniqit. Ajo tha se nuk ka asnjë dëshmitar që pretendon se Krasniqi e ka keqtrajtuar.
“Të nderuar gjykatës, ju kërkoj që kur të shqyrtoni provat e paraqitura nga Prokuroria të mos harroni këto fakte. Në të gjitha provat nuk ka qoftë edhe një dëshmitar të vetëm që pretendon se Krasniqi e ka rrahur, e ka keqtrajtuar apo torturuar. Nuk ekziston një viktimë e vetme nga qindra dëshmitarë të Prokurorisë që pretendojnë ose akuzojnë Krasniqin që i ka rrahur, abuzuar ose ka qenë i pranishëm kur ata janë keqtrajtuar. Kjo prokurori mbështetet kryesisht në spekulime dhe pretendime të pambështetura”, tha ajo.

Në nisje të deklaratave përmbyllëse avokatja e Jakup Krasniqit, Alagendra Venkateswari, tha se klienti i saj duhet të shpallet i pafajshëm dhe të kthehet pranë familjes së tij. Ajo tha se Krasniqi gjendet në paraburgim në Hagë prej 1.926 ditësh.
"Parashtrojmë që është vetëm një opsion që të merrni vendim pafajësie ndaj të gjitha akuzave të ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit do t’iu bëjmë thirrje të nderuar gjykatës që ta shpallni të pafajshëm Krasniqin dhe ta lejoni këtë zotëri 75-vjeçar që të kthehet në familjen e tij dhe të kalojë vitet që i ka caktuar Zoti me familjen e tij", tha ajo.
Avokatja e Selimit, Furtuna Sheremeti, tha se nuk ka prova që Selimi është fajtor për pikat e aktakuzës, ndërkaq kërkesën e Prokurorisë për 45 vjet burgim për secilin të akuzuar e cilësoi si burgim të përjetshëm.
“Nuk ka prova që të mbështesin fajësinë në asnjë prej pikave të aktakuzës për zotin Selimi. Duhet të shpallet i pafajshëm dhe nuk mund të flitet për masë dënimi. Megjithatë, nëse trupi gjykues arrin në masën e dënimit, pala do të flasë me kërkesën e jashtëzakonshme të Prokurorisë. ZPS kërkon 45 vjet për secilin të akuzuar dhe kërkon një masë dënimi të përbashkët duke trajtuar totalitetin e pretenduar të sjelljes si një justifikim. Kërkesa e Prokurorisë është shproporcionale dhe e paprecedent në rrethana të kësaj çështje që nuk është provuar”, tha Sheremeti. “Një dënim 45-vjeçar, praktikisht është burgim i përjetshëm. Nuk është proporcionale”, shtoi ajo.
Avokatja e Selimit, Furtuna Sheremeti, po vazhdon fjalën përmbyllëse duke u përqendruar te dëmi që u është shkaktuar viktimave. Ajo tha se nuk iu qaset provave të mbrojtjes të viktimave me shpërfillje sepse e kuptojnë dëmin dhe vuajtjen që kanë përjetuar njerëzit, duke insistuar se Selimi nuk ka kryer krime.
Megjithatë, ajo tha se vuajtja dhe represioni nuk e përjashton provën ligjore.
“Nuk e mjaftueshme që të thuhet se ka pasur dhunë, paraburgosje që në një shoqëri pas konfliktit trauma është e gjerë. Asnjë nga këto nuk tregon se Selimi ka kryer krime, apo ka urdhëruar ato, ka kontribuar në to apo ka pasur njohuri apo kontroll efektiv që të bëjë përgjegjësi komanduese”, tha Sheremeti.
Sipas saj, Prokuroria po synon që të paraqesë dëmin në natyrë të përgjithshme, duke e përdorur si model dhe pjesë “të një plani për kontroll të përqendruar”. Por, ajo argumentoi se provat e Prokurorisë përbëhen nga episode e jo dëme të natyrës së përgjithshme dhe pa autor specifik.
“Po të ketë pasur një rrjet komandimi që do të çonte drejt z. Selimi do të kishte dalë nga provat. Por nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, tha Sheremeti.
Sipas saj, asnjë provë nuk tregon se dëmi ndaj viktimave është shkaktuar nga Selimi.
Avokati Tully kalon te tema e dytë: pretendimet për kontrollin e Selimit mbi policinë. Ai thotë se pavarësisht një numri të madh të dokumenteve të pranuara nga trupi gjykues, Prokuroria nuk ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e veta.
“Ekziston një mungesë e tërë e dokumenteve operative të dërguara nga Ministria e Rendit Publik në drejtim të policisë, ose e kundërta, gjë e cila nuk vërteton përfshirjen e zotit Selimi, apo që ai ka pasur kontroll mbi policinë. Prokuroria nuk ka dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mosveprimet e zotit Selimi si ministër i Rendit Publik kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë dhe që ai është përgjegjësi për veprimet e personave tjerë lidhur me kryerjen e krimeve të pretenduara në aktakuzë”, tha ai.
Mes tjerash, avokati ka përmendur edhe mospërputhjet në dosjen e Prokurorisë, për mënyrën se si i referohet Selimit: diku si person me kontroll operacional mbi policinë, ndërsa diku tjetër pretendon se ai kishte autoritet operacional mbi policinë, dhe që ai ishte i pozicionuar për të udhëzuar persona.
Avokati i Selimit nis me kundërargument për pretendimin e parë të Prokurorisë që Selimi ka pasur kontroll mbi Policinë si ministër i Rendit Publik: "ZPS-ja nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta”.
Sipas tij, termi “Policia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)” është një tezë e Prokurorisë, "e hartuar si një kosh ku Prokuroria mund t’i hidhte sa më shumë dëshmi përmes provave jogojore" për të dhënë përshtypjen e gabuar se ekzistonte një lloj policie dhe që drejtohej nga Selimi si ministër i Rendit Publik.
“Pas qershorit, UÇK-ja dhe policia ushtarake e UÇK-së ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave, nuk ka qenë nën përgjegjësinë e zotit Selimi. Nuk ka ekzistuar një polici e tillë e UÇK-së, ose ministrisë së Rendit Publik, që është mbikëqyrur nga zoti Selimi, siç pretendon ZPS-ja”, tha ai.
Sipas avokatit, nuk kishte asnjë forcë policie të krijuar në prill të vitit 1999, duke marrë parasysh rrethanat në atë kohë, dhe nuk ka asnjë provë konfirmuese të paraqitur nga dëshmitarë apo ZPS-ja që vërtetojnë një pretendim të tillë.
Komente










