Nga selia e Partisë së Lirisë, u publikua një tjetër dokument, letërporosia dërguar autoriteteve amerikane nga SPAK mbi kontratën e lobimit mbi të cilën po gjykohet Ilir Meta.
Sekretari i përgjithshëm i PL thotë se kjo shkresë vërteton parregullsinë e procesit ndaj Metës, pasi e paraqet atë kryetar të ish-LSI-së në 2018, kohë kur ai kishte marrë detyrën e kreut të shtetit.
Drejtësinë e akuzon si vegël të kryeministrit, i cili sicc thotë Sekretari i Përgjithshëm i PL, “është i painteresuar që gjyqi ndaj Metës të ketë transparencë.”
“Transparenca e këtij procesi është tmerri i Edi Ramës, sepse ai është vetë kallëzuesi i rremë, prokurori militant e falsifikues, rrëmbyesi bandit dhe po kështu edhe gjykatësi i vetëm i këtij procesi”, tha Blushi.
Ndërsa kërkoi sërish që seancat të mbahen publike dhe të transmetohen në kohë reale për të gjithë.
“Kërkojmë seanca publike dhe njëhohësisht dënoj me forcë gënjeshtrën e qëllimtë të thënë në sallën e gjyqit nga gjykatësja sikur gjoja seanca gjyqësore ishte publike por nuk kishte qytetarë të interesuar për ta ndjekur, kur ndërkohë jashtë dhe brenda ambienteve të GJKKO kishte me qindra qytetarë dhe të afërm të Z. Meta, të cilët u penguan qëllimisht për të hyrë në sallën e gjyqit, që rastësisht dje u caktua të ishte më e vogla”, shtoi ai.
Një ditë më parë u mbajt seanca e dytë e gjyqit për çiftin Meta-Kryemadhi dhe për 3 të pandehurit e tjerë. Për këta të fundit gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar.
Ndërsa Meta, sërish të vetmen mundësi për të komunikuar përmes kafazit të qelqtë, e pati përmes shenjave.
Komente











