Tiranë- GJKKO ka dënuar me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre në dy raste ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako

Seanca ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, u zhvillua ditën e sotme (25 Nëntor) në GJKKO.

Dako aktualisht në arrest shtëpie, ndërsa nuk ndodhej sot vetë në seancë, por përfaqësohet nga avokati i tij, Petrit Ismaili, i cili gjatë konkluzioneve përfundimtare kërkoi pafajësi ose në rast të shpalljes fajtor, kërkoi pezullim të ekzekutimit të dënimit me burg.

Gazetarja e Report TV, Keti Banushi, informoi se për 3 të pandehurit e tjerë, Fatmir Ejupi, Fiqiri Farruku dhe Adrian Bulku, u dhanë nga 2 vite burgim me gjykim të shkurtuar, por u pezulluan këto dënime dhe u kthyen me shërbim prove nga GJKKO.

Në vendimin e zbardhur të GJKKO theksohet se Vangjush Dako dënohet në bashkim dënimesh dhe gjykim të shkurtuar me 2 vite dhe 8 muaj burgim, teksa i llogaritet periudha e kohës e arrestit me burg për tetë muaj qershor 2023-shkurt 2024 dhe ajo e “arrestit shtëpiak”, nga muaji shkurt 2024 dhe deri tani.

Gjithashtu në aplikim të nenit 35/1 të Kodit Penal, “të pandehurit Vangjush Dako i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh”.

Heqje e të drejtës për 5 vite ushtrim të funksioneve publike u dha edhe për një nga të pandehurit e tjerë, Fatmir Ejupin, përveç shërbimit të provës në 4 vite. Dënimet me 2 vite burg për të tre të pandehurit e dosjes u pezulluan dhe u kthyen në shërbim prove.

Seanca e 21 Nëntorit u shty për mungesë avokatësh. Kurse më 12 Nëntor, SPAK-u dha pretencën për 4 të pandehurit e dosjes, ku për ish-kryebashkiakun kërkoi 4 vite izolim, që të konvertuara me gjykim të shkurtuar kthehen në 2,8 vite burg.

Vangjush Dako u arrestua në qershor 2023 pasi ndaj tij ishte caktuar 'arrest me burg' por pas 8 muajsh, në shkurt 2024 GJKKO vendosi të ndryshojë masën e sigurisë në 'arrest shtëpie' për shkak të kalimit të afateve.  Në korrik të këtij viti Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako për gjykim të shkurtuar.

Në Tetor 2024 GJKKO vendosi që dosja të kalonte për gjykim në seancë normale.

Vendimi i GJKKO: 
1-Vangjush Dako, - ish kryebashkiaku i Durrës - 2,8 vite me gjykim të shkurtuar, 5 vite mosushtrim funksionesh publike
2-Fatmir Ejupi, - ish-topograf i bashkisë Durrës - 2 vite me gjykim të shkurtuar, kthehet shërbim prove, 5 vite mosushtrim funksione publike
3-Fiqiri Farruku, - ndërtuesi i pallatit 11 katësh - 2 vite me gjykim të shkurtuar, kthehet 4 vite në shërbim prove
4 -Adrian Bulku, -  2 vite me gjykim të shkurtuar, dënimi pezullohet dhe kthehet me shërbim prove