Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani deklaroi sot në një prononcim për gazetarët para nisjes së mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë se është i gatshëm të paraqesë në KLD kërkesat për shkarkim të gjyqtarëve apo prokurorëve të korruptuar, kjo pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu për refuzimin e vizave të gjyqtarëve të korruptuar.
 
“Kam detyrë që në mënyrë ekskluzive të paraqes në KLD kërkesat për shkarkim si rezultat i një procedimi disiplinor. Kam shprehur dhe jam ende i gatshëm që ta bëj këtë gjë për çdo gjyqtar apo prokuror mbi të cilin ambasadat jo vetëm amerikane por kushdo që ka një informacion apo ka një shqetësim ta çoj për procedim disiplinor në KLD për këtë çështje, pra për akte dhe çështje që diskreditojnë rëndë figurën e zyrtarit publik, kjo është detyra e ministrit kurse çështjet e korrupsionit apo çështje të tjera janë çështje të ndjekjes penale. Ministri i drejtësisë nuk bën ndjekje penale ju e dini këtë, ndjekjen penale e bën prokurori apo gjykata,” tha Manjani.
 
Sa i përket kërkesës së kreut aktuat të Gjykatës së Apelit Alaudin Malaj, për përjashtimin e gjyqtarit Gjin Gjoni nga procesi i votimit për kreun e ri të Apelit, manjani tha se do ta prazentojë atë në mbledhjen e KLD-së.
 
“Është një kërkesë proceduriale sigurisht i takon KLD-së ta vlerësojë por sigurisht që unë do ta prezantoj,” tha Manjani për gazetarët para nisjes së mbledhjes së KLD-së.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)