TIRANE- Konfliktet e hasmërisë mes familjes Shkreta dhe Llani si dhe shkëmbimi i fjalëve kërcënuese në ambjentet e gjykatës së Laçit, mes njërëzve të të dyja familjeve, ka bërë që prokurori dhe gjyqtarët e çështjes të mos e ndiejnë veten të sigurtë. Kjo për shkak se siguria për zhvillimin e procesit gjyqësor normal mungon pasi në disa raste situata ka qënë tepër e tensionuar gjatë procesit gjyqësor ndaj dy vllezërve të pandehur Oligert dhe Altin Shkreta, që akuzohen nga prokuroria e Laçit për vrasjen e fëmijës 9-vjeçar Endri LLani dhe plagosjen rëndë të xhaxhain e tij, Muharrem Llani.

Lidhur me këtë çështje, nëpërmjet një kërkese prokuroria e Laçit ka vënë në lëvizje Gjykatën e Lartë, duke i kërkuar kësaj të fundit të vendoste traferimin e dosjes penale në një gjykatë tjetër, pasi në Laç nuk garantohen kushtet e zhvillimit të drejtë gjyqësor. Kërkesa e prokurorisë është shqyrtuar nga një kolegj penal i Gjykatës së Lartë, i cili ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë së Laçit, duke e transferuar dosjen e dy vllezërve Shkreta në gjykatën e Tiranës.

Dosja në Tiranë
Fill pas vendimit të Gjykatës së Lartë që pranoi të transferojë kërkesë e prokurorisë, në sekretarinë e gjykatës së kryeqytetit është rregjistruar çështja penale me nr.2339 ndaj dy vllezërve të pandehur Oligert dhe Altin Shkreta. Akuza që rëndon mbi ta është ajo e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kryer në bashkepunim” si dhe “Prodhim dhe mbajtje pa lejë të armëve luftarake dhe municionit”.

Çështja është rregjistruar në datën 9 dhjetor dhe se gjyqtari i çështjes është përzgjedhur Gerd Hoxha. Pritet që seanca e parë të zhvillohet në datën 21 janar të vitit të ardhshëm, ku dy vllezërit do dalin para gjykatës, për tu ballafaqur me akuzat. Ngjarja për të cilën akuzohen dy vllezërit Shkreta daton në 5 qershor 2012, të cilët i ngritën pritë Muharrem Llanit, por vranë nipin e tij 9-vjeçar Endri Llani, i cili ndodhej në makinë.

faksimile
Në Foto: Faksimile e ekstraktit të gjykatës së lartë që transferon dosjen Shkreta në Tiranë


Shkrimi u publikua sot (28.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)