BRUKSEL – Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, deklaroi nga Brukseli se diplomacia shqiptare po “ka filluar veprimet e saj respektove” sapo ka marrë vesh lajmin e bllokimit në kufi nga pala greke të gjyqtarëve të Korçës që dënuan me 1 vit burg kreun e OMONIA-s, Naum Disho, në lidhje me dhunimin e varret të Boboshticës.

“Nuk e kuptoj këtë padurim që kanë disa organe të medias apo edhe disa politikanë. Ministria e Punëve të Jashtme ka mënyrat, procedurat diplomatike me të cilat ajo komunikon me Greqinë apo me çdo vend tjetër kur ka çështje të një natyre të tillë”, tha Haxhinasto nga Brukseli ku ndodhet për një vizitë. “Do të garantoja gjithkënd se Ministria e Punëve të Jashtme, me marrjen e këtij informacioni dhe njohjen e problemit, ka filluar veprimet e saj respektive të cilat, do t’ja lemë kohës dhe do të shohim se sa efikase do të jenë”, deklaroi kreu i diplomacisë shqiptare.

Autoritetet greke të Kapshticës kane futur ne listën e zezë të personave të padëshiruar kryetaren e gjykatës së Apelit të Korçës, Entela Prifti, gjyqtaren tjetër të Apelit, Brunilda Malo, si dhe gjyqtaren e gjykatës së Shkallës së Parë të Korçës, Afërdita Maho. Për tre gjyqtarët mësohet se në regjistrin e shërbimit të policisë greke është shënuar se “janë persona te padëshirueshëm për shtetin grek, si dhe te rrezikshëm për rendin dhe sigurinë e vendit”.

Entela Prifti, Brunilda Malo, ishin pjesë e treshes së trupit gjykues që më 10 janar të këtij viti, lanë në fuqi dënimin me 1 vit heqje lirie për Naum Dishon me akuzën e dhunimit të varreve në Boboshticë. Ndërsa gjyqtarja e gjykatës së Shkallës së Parë, Afërdita Maho, më 9 qershor të 2011 e kishte shpallur fajtor Dishon.

(im/shqiptarja.com)