Gjyqtari i Kurbinit fshehu 2 shtëpi, s’justifikon 2 të tjera

Gjyqtari i Kurbinit fshehu 2 shtëpi, s’justifikon 2 të tjera

Gjyqtari pranë Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Etleda Çiftja, Firdes Shuli dhe Roland Ilia, në 14 janar të këtij viti, vendosi të shkarkonte nga detyra gjyqtarin pranë Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni. Në vendimin e shkarkimit, i zbardhur së fundmi, thuhet se gjyqtari ka fshehur dy banesa dhe nuk ka deklaruar përdorimin e tre makinave, ndërsa nuk justifikon me të ardhura të ligjshme dy banesa të tjera. Konkretisht, pas hetimit të thelluar, trupa gjykuese ka arritur në konkluzionin se gjyqtari Alfred Gjoni ka fshehur posedimin dhe përdorimin e një apartamenti në qytetin e Durrësit, ka në pronësi të fshehur një apartament në qytetin e Durrësit, nuk ka deklaruar pjesën e bashkëshortes së tij prej 9/288 të një apartamenti me sipërfaqe 83 m2, në Bulqizë si dhe nuk ka deklaruar të drejtën e përdorimit të tre automjeteve.

Në vendim thuhet gjithashtu se gjyqtari ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme në shumën 1,154,846 lekë, për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 60 m2 si dhe ka kryer deklarim të rremë në lidhje me burimin e ligjshëm të ardhurave për blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 47.74 m2. Trupa gjykuese ka ‘ngelur në klasë’ gjyqtarin edhe sa i takon aftësive profesionale, duke dalë në konkluzionin se “të metat e konstatuara në shqyrtimin dosjeve gjyqësore të trajtuar më sipër reflektojnë mangësi profesionale të tilla, që nuk mund të plotësohen nëpërmjet programit të trajnimit. Të tilla mangësi konsiderohen, zvarritja e gjykimit tej afateve ligjore, mënyra jokorrekte e vlerësimit të fakteve dhe provave, argumentimi jo i plotë dhe jo në përputhje me dispozitat ligjor merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes së subjektit të rivlerësimit, sipas nenit 61, pika 5, të ligjit nr. 84/2016”.

( Kliko këtu ) për vendimin e plotë të KPK për gjyqtarin Alfred Gjoni

Ndërpritet Vetingu

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të deklarojë të përfunduar procesin e Vetingut për një gjyqtar dhe një prokuror, për shkak të daljes së tyre në pension. Konkretisht, procesi i Vetingut është deklaruar i përfunduar për Fejzo Hysi, me

funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës si dhe për Përparim Hasën, prokuror në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Në këtë mënyrë, Komisioni i Vetingut ka vendosur edhe një standard për të gjithë subjektet e rivlerësimit që dalin në pension.

Kryeprokurori i Lushnjes

Kreu i i Prokurorisë së Rrethit Lushnjë, Çlirim Shahini, doli dje para Komisionit të Vetingut, me trupë gjykuese të përbërë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Xhensila Pine, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Prokurori Shahini ka deklaruar një objekt dy katësh + papafingo në Bashkinë e Sarandës, në vlerën e 10.5 milionë lekëve. Ai kishte deklaruar të ardhurat nga pagat dhe një hua në vlerën e 35 mijë eurove të marrë në vitin 2014, me afat shlyerje 10 vjet. Nga analiza financiare, Komisioni ka konstatuar pamjaftueshmëri financiare të huadhënësit të 35 mijë eurove, që kishin shërbyer për shlyerjen e shpenzimeve për ndërtimin e banesës në Sarandë. Po gjatë ditës së djeshme, KPK konfirmoi në detyrë kryegjyqtaren e Lezhës, Ornela Naqellari

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja