TIRANE - Prokuroria e Tiranës i komunikoi ditën e sotme akuzën për shpërdorim me pasoja të rënda të detyrës Neritan Tabakut, ish-gjykatësit i cili është akuzuar dhe për lirim e Ilir Xhakes.

Akuza ndaj Tabakut është komunikuar nga prokurori i çështjes Julian Zonja, i cili pasi ka pritur disa herë për paraqitjen e Tabakut vetëm sot pati mundësinë ta ketë përballë ish-gjyqtarin.

Tabaku është paraqitur në ambientet e Prokurorisë në shoqërinë e avokatit të tij, Fatmir Braka i cili ka konfirmuar për A1Report komunikimin e akuzës për klientin e tij.

Para komunikimit të akuzës ditën sotme, Tabakut disa kohë më parë i është hequr edhe imuniteti nga KLD si person në hetim për shpërdorim detyre. Pritet që dosja në ngarkim të tij të plotësohet me fakte e prova për t'iu dërguar më pas gjykatës.

Giithashtu KLD ka kërkuar të dëgjoj në një seancë plenare pretendimet e Tabakut për akuzën ndaj tij, si dhe me vonesat në zbardhjen e vendimeve, seancë kjo e cila është shtyrë për dy herë rradhazi sepse ka munguar për arsye shëndetësore Neritan Tabaku.

KLD vendosi që nëse Tabaku nuk do të paraqitet atëherë ai duhet të dërgojë një avokat pranë KLD-së.

Pas paraqitjes së sotme në Prokurori, pritet se si do veprojë Tabaku në lidhje me kërkesën e KLD-së, për të dhënë shpjegime mbi procedimin e nisur ndaj tij.

Tabaku ka konfirmuar në intervistën ekskluzive për shqiptarja.com se nuk paraqitet për arsye shëndetësore dhe s’ka asnjë tendencë t’i shmanget organeve të drejtësisë, si KLD ashtu dhe Prokurorisë ku është paraqitur mesditën e sotme për t’u njohur me akuzën.

(eç/shqiptarja.com)