Gjyqtarja e indinjuar: Po na soset
durimi, boll u morët me ne

Gjyqtarja e indinjuar: Po na soset<br />durimi, boll u morët me ne
Pasqyrimi i pasurive të disa prej njerëzve të drejtësisë, me anë të disa artikujve nga Shqiptarja.com, bazuar gjithnjë në dokumente zyrtare, ka indinjuar gjyqtarët shqiptarë, të cilët shprehen se ndjehen të ofenduar dhe se u vjen turp të thonë se punojnë si gjyqtar/e.

Gjyqtarja në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Rezarta Mataj, ka reaguar pas shkrimit të Shqiptarja.com me titull: “Gjyqtarët që morën para dhuratë nga gjyshja e babai”. Në artikull përmendej fakti se gjyqtarja kishte marrë 35 mijë euro dhuratë nga gjyshja e bashkëshortit, duke shlyer një kredi para afatit.

Zonja Mataj thotë se gazetarëve nuk ka pse u vjen çudi për këtë dhuratë, teksa sqaron se nënë Hyqmetja ka trashëguar nga babai tokë, ku nga shitja e një parcele trualli përfitoi disa mijëra euro.

Sipas saj, media nuk duhet t’i publikojë pasuritë e gjyqtarëve dhe justifikimet përkatëse, pasi për çdo deklaratë pasurie kanë paraqitur prova. Gjyqtarja Rezarta Mataj, me një ton ultimativ, u kërkon mediave që të mos merren më me gjyqtarët, ndërsa thotë se jemi treguar mosmirënjohës për punën dhe dinjitetin e gjyqtarëve.

Duke folur në vetën e tretë shumës, zonja thotë se gjyqtarëve po u soset durimi, ndërsa shton se kur shkon në parukeri nuk e përmend faktin se është gjyqtare.  
 
Reagimi i plotë i Rezarta Matajt, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë
    
Përpara një jave, në disa media të shkruara dhe vizive, disa gazetarë (as të tillë nuk e kanë emrin, por diletantë shpirtëzi), kanë raportuar emrat e disa gjyqtarëve të Shqipërisë, të cilët epitetizohen në mënyra më ofenduese si “gjyqtarët”, që u pasuruan me dhurata nga gjyshja e babai”, “gjyqtarët dhe alibitë për të jusitifkuar pasuritë”, “gjyqtari pa shtëpi që u bë milioner me një rrogë”, “njihuni me bashkëjetusen e gjyqtarit që bën 7 punë brenda dhe jashtë Shqipërisë” etj.
 
Jam në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për arsye familjarë për disa javë (gazetarët si Bledi Mane, Adriatik Doçi etj., mund ta shkruajnë edhe këtë fakt në artikujt e tyre se mos nuk i kemi deklaruar përpara ILDKPI-së!!!), pasi jam mbajtëse e Green Cards.
    
Sot, me datë 26 gusht 2017, në dilemë për të më vënë në dijeni, tepër të sikletosur dashamirës më dërgojnë linqe të portaleve, mediave ku flitet për gjyqtarët që justifikojnë çuditshëm pasurinë. Aty ishte edhe emri im. Lexova artikujt dhe ndër to pashë emra kolegësh dhe pasuritë e tyre që vetëm të çuditshme nuk mund t’i thuash. Ka gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit, gjyqtarë të Rretheve që kanë punuar në gjyqësor mbi njëzet vite, nuk u ka ardhur koha si çdo punonjësi tjetër në Shqipëri a në botë të vërë mënjanë njëfarë katandie.
    
Sot çdo njëri shet e blen automjete, çdo njeri merr kredi a overdraft në bankë, çdo njeri ka familjarë që u dhurojnë dhe dhurojnë pasuri e çfarë është përtej njerëzores? Druhem se vetëm emri gjyqtar është mallkim në Shqipëri.
    
Gazetarët për të sërvirur skupe tek qytetarët që me të drejtë a pa të drejtë janë mbushur me vrer ndaj gjyqësorit paraqesin të dhëna që ne me vullnetin tonë dhe me dokumente justifikues ia kemi paraqitur Autoritetit Verifikues. Pra, ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Gazetarët kanë shumë fakte që me dashje nuk i kanë paraqitur pasi do e bënte artikullin tepër serioz. E kush do i blinte gazeta të tilla për relaks në këto ditë vape. Jo duhen thashetheme, duhen emra konkret, fut edhe një gënjeshtër “kriposi” me eipitete dhe sarkazëm dhe ja artikulli i preferuar i shqiptarëve (më ndjeni ju pjesa më e madhe e lexuesve, e bindur që jeni lexues racional e të ndershëm).
    
Marrim rastin tim, ku përmendet se gjyqtarja ka marrë dhuratë nga gjyshja e bashkëshortit 35,000 euro, kam marrë pagë unë dhe bashkëshorti im nga punët që bëjmë dhe kam deklaruar edhe 200, 000 euro qokat që shqiptarët bëjnë për fëmijën kur lind.

Nuk e di pse u vjen çudi gazetarëve ku gjyshja e bashkëshortit tim, ndjestë pastë nënë Hyqmetja si një nga dy fëmijët e vetëm të Haxhi Kazazit (familje tironce e vjetër) ka trashëguar nga babai tokë prapa Konvikteve të Mjeksisë, tek Medreseja në Tiranë dhe nga shitja e një parcele trualli atje përfitoi disa mijëra euro.

Ne si familje e re, për të ndërtuar jetën me dy vajzat e mitura kishim marrë kredi në Bankë Societe Generale Albania sh. a (as kredi lehtësuese që mund të marrin shumë zyrtarë në mënyrë abuzive) dhe zonjës së nderuar, Gjyshe Hiqmetes i hoqi zemra për t’i dhënë nipit një shumë të ardhurash nga pasuria e saj që të mos vazhdonim këstet rrjepëse edhe për njëzet vjet.

Unë me bashkëshortin tim nuk kemi të drejtë që si çdo moshatar 35- vjeçar, mësues, mjek, inxhinier, punonjës banke por edhe një punëtor i thjeshtë të blejmë një shtëpi me kredi? Fati jonë i mirë që arritëm ta shlyenim para kohe.

Për gazetarët dhe çdo qytetar skeptik duhet të jetojmë në skamje që të ekzaltohen, ndoshta edhe skamja nuk u kënaq vrerin.

Nuk u mësuan këto gazetarë që ka gazetari rozë dhe mund të bësh thashetheme me këdo, por jo me zyrtarë që për çdo deklaratë kanë paraqitur prova. Kjo e fundit quhet gazetari investigative. Pse nuk i investigojnë, analizojnë dhe pastaj të raportojnë për të mirën e publikut çdo pasuri të pajustifikueshme dhe të përgatisin dosje të vërtetë për prokurori. Këto lloj lajme klishe pa prova nuk duhet të kalojnë farë në Kryeredaksi se janë bërë bozë për 26 vjet.
    
 Po ashtu më vjen keq edhe për disa qytetarë që kalojnë ditën duke bërë komente dhe nuk kontribuojnë drejtësisë duke bërë kallëzim në prokurori dhe të çonin gjyqtarin, prokurorin a zyrtarin e korruptuar prapa hekurave.
    
Është e ditur se nga dy palë në një gjykim civil njëri është gjyqfitues dhe tjetri gjyqhumbës. Po ashtu është e ditur që pala do të humbasë, nuk do të ketë shije të mirë për gjykimin.

Ama, është e tepërt kur palët gjyqhumbëse apo të tjerë smirëzinj dhe thashethemexhi shpifin. Për shpifjen janë aq të bindur se as emrin e saktë nuk kanë guxim ta paraqesin në blogje. E kam fjalën për “Gimmi” i cili tek gazeta elektronike Shqiptarja.com, poshtë artikullit që përmendemi ne “Ufot” që marrin dhurata dhe çuditshëm justifikomë pasuritë shprehet:

“Rezarta Mataj ta përlan lekun, kot ka shpëtuar deri sot, s’ka ku mcefet më, në varësi se sa jep, jep vendimin, e poshtër.” Turp nuk ke o Gimmi, po shko në prokurori, dil në media publikisht raporto, pasi jam e sigurt se nuk me ke parë ndonjë herë as në korridoret e gjykatës e do dalësh vetë i poshtër.
    
Nëse do të jetë e vërtetë ajo çfarë thua, do e ndjek deri në fund siç e kam zakon me gjyqe dhe do jesh i gjobituri i radhës. Në karrierën time 10 vjeçare si gjyqtare në Shkodër, Kavajë dhe Tiranë kam bërë dy kallëzime për “Fyerje ndaj gjyqtarit” ku kanë përfunduar me gjobë ndaj qytetarëve në 120,000 lekë, dy kallëzime për “Shpifje” dhe kanë përfunduar me gjobë , dëmshpërblim moral për personin tim 330,000 lekë madje një avokat sot e kësaj ditë është arrestuar me burgim pasi bëri bllofin duke thënë që lekët i ka kërkuar gjyqtarja, ndërkohë që padia qytetarit ishte rrëzuar në një seancë të vetme.

Po lodhim edhe familjarët duke ngritur padi e duke ndjekur gjyqet, por nuk mund t’i mbajmë në kurriz gjëra që nuk i kemi bërë.
    
Jam shumë e zhgënjyer për etiketimin që kemi si gjyqtar në Shqipëri. Më vjen turp kur them se jam gjyqtare në Shqipëri, as nuk e përmend as në market dhe as në parukeri se edhe çmimet na i rrisin dyfish më keq se me kosovarëve në verë. Sa kalojë Shqipërinë, në Evropë a në SHBA, në konferenca, në aeroporte apo edhe në një bisedë të thjeshtë tu thuash se jam gjyqtarë hapin sytë dhe e kanë për nder që po bisedojnë me ty. Çfarë vlerësimi!
    
Po si nuk doli një qytetarë a gazetarë a pushtetarë që të falënderoj, të tregoj mirënjohje për punën tonë heroike, të pavlerësuar as ekonomikisht dhe as në dinjitet. Me një pagë të barabartë me një mësues gjimnazi japim drejtësi njerëzve. Bota i ka dhënë çdo njeriut festen që i takon. Gjyqtarit për t’iu garantuar dinjiteti, të mos indimdohen dhe populli të ketë besim, shteti i garanton shtëpi më vete, sigurime të plota shëndetësore, shoqërore, kualifikime ndërkombëtare, trajtim special për fëmijët dhe bashkëshortët, me pensione suplementare, me pushime të paguara dhe me pagë 10 fish nga shtresat mesatare. Ofrojeni këtë dhe drejtësia do të jetë ndoshta ashtu siç do e kërkoni ju, ideale.
    
Me trajtimin që shteti dhe ju na bëni po japim shpirtin e durimi po soset. Udhëtojmë të që të rinj, dimër e verë nëpër rrethe, qëndrojmë në rrugë bashkë me atë që kemi dënuar për të hipur në të njëjtin furgon, sakrifikojmë netët e fëmijëve tanë për të bërë vendimet në kohë, për të mos munguar një ditë në punë edhe veten e harrojmë se jemi sëmurë, flemë nëpër hotele ku nuk kemi shtëpi dhe gjithçka marrim për resto është vetëm mosmirënjohje.
    
Njerëz, gazetarë, pushtetarë boll u morët me ne, jeni treguar mosmirënjohës për punën dhe dinjitetin tonë gjithmonë. Lëreni ndërkombëtarët të mendojnë më shumë. Pasi Vetingu të ndajë shapin nga sheqeri, merrni guximin dhe kërkoni publikisht falje për gjyqtarët që i keni cenuar pa të drejtë. Kërkojuni falje edhe familjarëve tonë, në këtë botë apo në të përtejmen, që nuk kanë asnjë faj përpos se fati i keq ose jo, u ra të na kenë ne, në mesin e tyre.
 
Rezarta Mataj
“Jam shumë e zhgënjyer për etiketimin që kemi si gjyqtar në Shqipëri. Më vjen turp kur them se jam gjyqtare në Shqipëri, as nuk e përmend as në market dhe as në parukeri se edhe çmimet na i rrisin dyfish më keq se me kosovarëve në verë”.
 
Sakrifica
“Me trajtimin që shteti dhe ju na bëni po japim shpirtin e durimi po soset. Udhëtojmë të që të rinj, dimër e verë nëpër rrethe, qëndrojmë në rrugë bashkë me atë që kemi dënuar për të hipur në të njëjtin furgon, sakrifikojmë netët e fëmijëve tanë për të bërë vendimet në kohë”.
 
Sqarimi
“Nuk e di pse u vjen çudi gazetarëve ku gjyshja e bashkëshortit tim, ndjestë pastë nënë Hyqmetja si një nga dy fëmijët e vetëm të Haxhi Kazazit (familje tironce e vjetër) ka trashëguar nga babai tokë prapa Konvikteve të Mjeksisë, tek Medreseja në Tiranë dhe nga shitja e një parcele trualli atje përfitoi disa mijëra euro”. 

deklerata pasurie

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Roan Brahimit, mediat greke rindërtojnë atentatin në 3D (VIDEO)

Vrasja e Roan Brahimit, mediat greke rindërtojnë atentatin në 3D (VIDEO)