Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i është drejtuar Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD) me një kërkesë zyrtare për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Irena Brahimi, e cila në tejkalim të çdo afati ka vonuar zbardhjen e vendimit të arsyetuar për plot 1 vit, 10 muaj dhe 20 ditë.

Referuar ankesës së mbërritur në rrugë elektronike nga shtetasi E.L, Ministria e Drejtësisë është vënë në lëvizje duke kryer verifikimin e duhur administrativ për çështjen penale me objekt “Kundërshtim i vendimit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për mosfillimin e procedimin penal”.

Në shkresën drejtuar ILD-së, ministri Lamallari argumenton se në fushën penale, neni 430/1 i Kodit të Procedurës Penale, parashikon se, kur vendimi shpallet i përmbledhur, ai duhet të arsyetohet brenda 30 ditëve nga shpallja, me mundësi zgjatjeje edhe për 30 ditë të tjera në rastet e parashikuara nga ligji. Krahasuar me këtë afat ligjor, rezulton se dorëzimi i vendimit në rastin konkret ka tejkaluar ndjeshëm kufijtë proceduralë.

“Një vonesë e tillë cënon standardin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe ndikon drejtpërdrejtë në realizimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, pasi pengon palët në ushtrimin në kohë të mjeteve të ankimit. Në këto kushte Ministri i Drejtësisë vlerëson se ekzistojnë elementët e mjaftueshëm për fillimin e procedimit disiplinor për shkelje të detyrimeve procedurale të përcaktuara në nenin 430/1 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në shkresën e firmosur nga ministri, Besfort Lamallari, ku kërkohet fillimi i hetimit ndaj gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Irena Brahimi.

Kjo është kërkesa e pestë për ILD e firmosur nga ministri Lamallari prej kur mori detyrën, nga të cilat 4 janë kërkesa për hetim disiplinor dhe një 1 për verifikim ankese.