DURRES - Koka e 18-vjeçares Ajshe Vata, e cila u gjet dje nga policia e Durrësit, është tërhequr nga gjyshi i saj prej morgut të qytetit bregdetar. Gjyshi i Ajshes,e cila u vra e më pas u masakrua nga 80-vjeçari Shaban Norja më 14 tetor disa metra larg banesës së saj, ka firmosur procesverbalin e tërheqjes së kokës së mbesës së tij, duke mbyllur kështu procesin e dokumentimit ligjor të këtij krimi makabër.

Koka e viktimës ishte e vendosur në një arkivol të vogël, ndërsa ende nuk dihet nëse trupi i saj do të zhvarroset për tu varrosur më tej sëbashku me kokën e 18-vjeçares.

Në një intervistë ekskluzive për Tv A1 Report, babai i Ajshe Vatës, Muhamed Vata është shprehur pas vrasjes së vajzës, se nuk do të bëj ceremoni përkujtimore për të, pasi sipas tij vajza e kishte turpëruar.

Ajshe Vata u vra me një plumb në kokë e më tej u masakrua nga 80-vjeçari, fqinji i saj Shaban Norja, i cili pasi e vrau i preu me thikë kokën duke e shkëputur prej trupit të saj e duke e fshehur disa metra larg vendit të krmit, për të humbur gjurmët e sipas tij, trupi të mos njihej e viktima të shpallej e humbur.

Ajshe Vata ishte 11 javëshe shtatzënë dhe pas vrasjes së saj, ekspertiza nxorri se babai i foshnjës ishte 80-vjeçari Shaban Norja, i cili u arrestua gjatë ditës së djeshme. Ai deklaroi në polici se ka pasur lidhje me vajzën dhe se e vrau për shkak se viktima nuk donte të abortonte foshnjën.

(Gre.M/Shqiptarja.com)