Nëntë persona u arrestuan nga një operacion i policisë në disa qytete, kundër transportimit të emigrantëve të paligjshëm nga vendet e lindjes përmes Shqipërisë. Daniel Sina, Rexhiha Hyka, Fatmir Kapa, Shani Piro, Ledion Koçiu, Emiljan Sina, Ardjan Tema, Hume Murrizi dhe Etleva Pirro u arrestuan në Tiranë, Durrës, Kavajë e Sarandë gjatë operacionit policor të koduar me emrin “Fazat”. Hetimet kanë nisur 6 muaj më parë ku gjatë kësaj periudhe janë goditur 4 raste të veprimtarisë kriminale dhe kanë vënë në pranga 4 persona të tjerë, duke transportuar emigrantë, në rrugën Lezhë-Shkodër dhe në Shijak.
Sipas policisë, hetimet e kryera me metoda proaktive kanë dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve, të cilët të organizuar si grup kriminal, kundrejt pagesave 3500-5000 euro që dërgoheshin nëpërmjet pikave të transferimit të parave, transportonin emigrantë nga Nepali, Afganistani, Bangladeshi dhe India, që ndiqnin itinerarin “Turqi-Greqi-Shqipëri” dhe synonin të kalonin në vendet e Bashkimit Europian.
Policia tha se emigrantët, pasi grumbulloheshin në Greqi, kaloheshin nga pjesëtarët e këtij rrjeti, nga kufiri i gjelbër, në Sarandë, Gjirokastër dhe në Korçë. Më pas, ata akomodoheshin në ambiente të ndryshme dhe transportoheshin me automjete të marra me qira, drejt Shkodrës, për të kaluar ilegalisht kufirin me Malin e Zi. Gjatë aksionit janë shpallur në kërkim edhe dy persona nga Kruja dhe ka nisur procedim në gjendje të lirë për një 65 vjeçare, banuese në Durrës.
Në pranga
- Daniel Sina,
- Rexhina Hyka,
- Fatmir Kapa,
- Shani Piro,
- Ledion Koçiu,
- Emiljan Sina,
- Ardjan Tema,
- Hume Murrizi
- Eleva Pirro
Një operacion për trafikimin e paligjshëm të emigrantëve që vijnë kryesisht përmes pikave kufitare me Greqinë është zhvilluar në orët e fundit në disa qytete në vend. Mësohet se kontrollet e para kanë nisur në Kavajë, pas një vjedhje të regjistruar disa kohë më parë në një biznes të vogël.
Pas ngjarjes në fjalë policia ka mundur të identifikoj autorët, të cilët rezultuan emigrantë të vendeve të lindjes, dhe kanë mundur të depërtojnë deri tek trafikantët që i transportojnë në territorin e vendit, me synim kalimin në pikat kufitare me Kosovën dhe Malin e Zi.
Vetëm në Kavajë janë arrestuar 4 persona, por mësohet se ka edhe të tjerë në qytete të tjera.