Tenderi prej rreth 400 milionë euro për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano u anulua, pasi kompania e vetme e mbetur në garë u tërhoq, me argumentin e pamundësisë ekonomike.
Po ashtu, njëra prej kompanive, e cila kaloi fazën e parë të garën, holandezja “Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V”, bëri kallëzim në SPAK duke denoncuar procedurën e garës.
Pikërisht kjo padi nga kompania e njohur holandeze me një eksperiencë mbi 150 vjeçare, çoi agjentët e BKH-së të sekuestrojnë dokumentet e procedurave të ndjekura deri më tani nga Autoriteti Portual i Durrësit.
Lidhur me këtë situatë, në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, doktori i Shkencave Ekonomike, Zef Preçi, tha se problemi nisi që me vendimin për zhvendosjen e Portit të Durrësit në Porto Romano.
Sipas tij, kjo gjë ishte e panevojshme dhe do i fusë qytetarët shqiptarë në një borxh publik prej 2 miliardë eurosh.
Preçi tha gjithashtu se ka pasur kontradikta të shumta nga ana e Qeverisë lidhur me burimet e financimit të Portit të ri.
“Jemi vend që kemi shumë fluks pasagjerësh dhe mallrash që Porti i Durrësit të zhvendosej në Porto Romano? Këtu diskutojmë për të futur qytetarët shqiptarë në borxh publik prej 2 miliardë eurosh, pra borxhi publik rritet me 40%. E dyta kur flasim për burimet e financimit, ne kemi dëgjuar shumë ëndrra në beze se me fitimet e portit te Marina Durrës do të ndërtohej porti i ri, pastaj do të ishte koncesion publik-privat, pastaj do kontribuonte edhe NATO, pastaj na doli që pa qenë e parashikuar në buxhetin e 2024 alokuam dhe rialokuam 400 milionë euro për të bërë tenderin.
Pra u ndërtua një fabul që do të ishin 2 miliardë euro dhe të gjithë joshemi nga investimi i huaj. Dhe erdhëm te kjo ditë që çmontuam portin ekzistues, bëmë një kontratë tejet favorizuese për një kompani të huaj, e cila sipas bilanceve që ka dorëzuar dhe sipas të dhënave zyrtare të saj, ka shitur diku te 38 milionë euro ndoshta ajër, por edhe ndonjë objekt që nuk ka përfunduar dhe nuk bëhet fjalë për të kontribuar në të ardhurat e shtetit, të ardhurat e kompanisë së përbashkët, etj. Pastaj vijmë te përjashtimi i kompanive të mëdha. Këtu s’ka asgjë për t’u çuditur. Kemi ardhur në pikën sot që s’kemi as portin e ri e as të vjetrin. I riu do një vit tani për të filluar”, tha Preçi.
Nga ana tjetër, doktori i Shkencave Ekonomike, Azmi Stringa, tha se Greqia dhe Serbia janë dy aktorët kryesorë që kanë interes që porti i ri i Durrësit dhe Korridori VIII të mos ndërtohet.
Stringa tha gjithashtu se gjatë këtyre 30 viteve ka pasur shumë politikanë shqiptarë, të shtyrë edhe nga lobimet dhe pazaret personale me Greqinë e Serbinë, që kanë punuar që këto vepra të mëdha të mos ndërtohen.
“Kur ne flasim pse është i rëndësishëm ky port, duhet të flasim edhe për një gjë. Çfarë kemi bërë ne përtej fjalëve. Unë shoh veprat. Gjatë këtyre 30 viteve është folur shumë për këtë korridor. Rruga e Korridorit VIII gjithmonë mbetet e shkatërruar. Kjo rrugë duhet të ishte ndërtuar me patjetër. Ne e dimë shumë mirë kush përfiton nga bërja apo mos-bërja e kësaj.
Greqia dhe Serbia që janë dy aktorët kryesorë ku kalon edhe korridori jug-veri-jug, janë ato të cilat janë më shumë të painteresuara që kjo gjë të bëhet. Dhe kemi edhe një rrezik që ka qenë edhe i politikanëve shqiptarë gjatë këtyre 30 viteve, që pazari për shtyrjen e këtij investimi strategjik për futjen e Shqipërisë në harta në kohën e duhur, në momentin e duhur është përkthyer pastaj edhe në mbështetje lobiste, politike ndaj këtyre politikanëve në raste individuale. Për ata mjafton që të qëndrojnë në pushtet”, tha Stringa.
Komente









