PEQIN- 4 persona janë shpallur në kërkim, ndërsa një tjetër po hetohet në gjendje të lirë pasi akuzohen se kanë goditur ditën e djeshme me mjete të forta kreun e Njësisë Administrative Gjoçaj në Peqin, Bilal Hasa. Në kërkim janë shpallur E. M., 30 vjeç, Xh. M., 23 vjeç, A. M., 32 vjeç, (vëllezër) dhe K. S., 35 vjeç, banues në Peqin dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Ndërsa po hetohet në gjendje të lirë N. M., 61 vjeç, banues në Peqin. Siç u raportua një ditë më parë, Hasa u konfliktua më parë me këta persona, me të cilët dyshohet se ka njohje, në ambientet e selisë së Partisë Demokratike, aty ku u zhvilluan zgjedhjet për kreun e ri. Burimet jo zyrtare bënë me dije se sherri nisi nisur për shkak të procesit zgjedhor për kryesimin e PS në Peqin, ku u zgjodh Madrid Sula, e cila ka hasur në kundërshtimin e Hasës, por kjo nuk është konfirmuar ende.
"Goditën me mjete të forta administratorin e Njësisë Administrative Gjocaj, Bilal Hasa, shpallen në kërkim 4 shtetas, si dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë se disa persona kanë goditur me mjete të forta administratorin e Njësisë Administrative Gjocaj, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngarjes.
Shtetasit që kishin goditur administratorin e Njësisë Administrative, sapo kanë parë Policinë janë larguar menjëherë.
Administratori i njësisë administrative Peqim, Bilal Hasa
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Peqin, bënë shpalljen në kërkim të shtetaseve E. M., 30 vjeç, Xh. M., 23 vjeç, A. M., 32 vjeç, (vëllezër) dhe K. S., 35 vjeç, banues në Peqin dhe vijon puna për kapjen e tyre. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi N. M., 61 vjeç, banues në Peqin.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në qytetin e Peqinit, për shkak të detyrës, kanë goditur me mjete të forta administratorin e Njësisë Administrative Gjocaj, shtetasin B. H., 29 vjeç, jashtë rrezikut për jetën. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme", njofton Policia.