PEQIN- Bilal Hasa, drejtori i Burgut të Rrogozhinës është lënë i lirë nga Policia e Elbasanit pasi u ndalua për gjetjen e 4 mijë rrënjë kanabis në dy magazinat në pronësi të tij. Nga hetimet paraprake të bluve të Elbasanit ka dyshime se Hasa nuk ka lidhje me drogën e kultivuar në Peqin dhe për këtë arsye kanë vendosur që ta hetojnë në gjendje të lirë.

Pas operacionit të policisë, Bilal Hasa u vetëdorëzua dhe u mor në pyetje, ndërsa Drejtoria e Burgjeve e ka pezulluar nga detyra. Në dëshminë e tij para bluve rezulton se ka mohuar të ketë lidhje me kultivimin e drogës brenda në magazinë. Ai ka deklaruar se prej muajsh nuk kishte shkuar në atë ambient dhe se nuk kishte dijeni për aktivitetin që po kryhej në të. Hasa ka deklaruar se për shtëpinë e vjetër, përfshirë edhe magazinën përkujdesej vëllai i tij Romario Hasa që është shpallur në kërkim bashkë me përgjegjësin e OSHEE-së në zonën e Peqinit Ervis Maçi që akuzohet për shpërdorim detyre.

Lirimi i Bilal Hasës ndodhi pa vajtur dosja e plotë në Prokurorinë e Elbasanit me materialet përkatëse, pasi policia bëri verifikimet e saj dhe nisur nga dëshmitë por edhe disa veprime hetimore, vendosi ta hetojë në gjendje të lirë. Gjithsesi pritet edhe qëndrimi i Prokurorisë së Elbasanit, nëse do të kërkojnë masë sigurie, pasi të marrë në dorë materialet e policisë dhe të shqyrtojë provat.

Pasditen e 19 marsit, efektivët mësynë brenda ambjenteve të magazinës dhe gjetën rreth 4 mijë rrënjë kanabisi. Për kultivimin e bimëve narkotike ambjenti ishte përshtatur me llamba neone dhe pajisje të tjera elektrike.

Gjithashtu mos gjetja e asnjë personi në afërsi të plantacionit, ka ngritur dyshimet që mund të ketë patur dekonspirimi për ndërhyrjen. Kjo pasi një sasi kaq e madhe e kultivimit të bimëve narkotike në një numër prej 4 mijë rrënjësh ka nevojë për përkujdesje. Në vendin e ngjarjes janë gjetur sende të shumta që kanë gjurmë AND-je si shishe plastike, bishta cigaresh, si dhe mjete pune, të cilat do të ekspertohen.

Ndërkohë që një transformator që mund të shërbejë për furnizimin me energji të një lagjeje të tërë ishte vendosur në dispozicion nga OSHEE ndaj këtyre magazinave, ndaj shihet si përgjegjës drejtuesi i OSHEE për Peqinin Ervis Maçi, me dyshimet që së paku ka shpërdoruar detyrën, duke mos përjashtuar edhe bashkëpunimin që mund të ketë patur me kultivuesit.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë