Konkretisht, Në 15 faqe konkluzione prokurori Adnand Xholi kërkoi për deputetin Arben Ndoka shpalljen fajtor dhe dënimin e tij me një vit burg, duke i lënë të hapur mundësinë e konvertimit të dënimit me 150 orë punë pa shpërblim në favor të interesit publik.
Ndërkohë, për deputetin Pjerin Ndreu Prokuroria e Përgjithshme kërkoi dënimin me 8 muaj burg ose zëvendësimin e kësaj mase me 80 orë punë publike.
Nëse gjykata do të dënojë deputetët nën akuzë atëherë ata do të humbin mandatin, ndërsa me konvertimin e dënimit me punë të detyruar Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu do të shërbejnë në komunitetit në të njëjtën mënyrë si ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni që shërbeu në azilin e të moshuarve.
Në proces Ndoka dhe Ndreu nuk ishin të pranishëm, ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike Luçano Boçi u shpreh se me këtë kërkesë të prokurorisë u faktua goditja e Strazimirit për shkak të detyrës.
Sipas Prokurorisë gjithçka ka nisur pas fjalës së deputeti Strazimiri në foltoren e parlamentit ku ka deklaruar se në grupin parlamentar të mazhorancës ka 19 persona të inkriminuar. Konkluzionet e akuzës vinë një vit pas konfliktit të ndodhur më 10 korrik 2014 në hollin e Kuvendit të Shqipërisë ku kamera e sigurisë filmoi momentin kur dy deputetët socialistë Ndoka dhe Ndreu dodasin Strazimirin.
Kolegji penal në kryesimin e Medi Bicit vendosi që seanca e radhës të mbahet më 5 qershor ku avokatët Baftjar Rusi e Ardian Visha do të paraqesin konkluzionet e mbrojtjes.
Njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme
Prokuroria e Përgjithshme kërkon shpalljen fajtor të shtetasve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, me funksion deputet, dhe dënimin e tyre përkatësisht me 1 vit burgim (Ndoka) dhe 8 muaj burgim (Ndreu), të akuzuar për konsumimin e elementëve të veprës penale parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, “Goditje për shkak të detyrës” në dëm të shtetasit Gent Strazimiri, me funksion deputet, ngjarje e ndodhur në datë 10.07.2014 në ambjentet e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë.
Në konkluzionet e saj prezantuar ditën e Mërkurë (dt.20.05.2015) para Gjykatës së Lartë, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi që, në bazë të nenit 63 të Kodit Penal,nëse të akuzuarit japin pëlqimin e tyre, të pezullohet dënimi me burgim dhe zëvendësimin e tij me detyrimin për të përmbushur një punë në interes publik, me pëlqimin e tij dhe pa shpërblim, në favor të interesit publik, në një masë të përgjithshme prej 150 orë pune për shtetasin Arben Ndoka dhe 100 orë pune për shtetasin Pjerin Ndreu.
Prokuroria e Përgjithshme, në përfundim të gjykimit, ka argumentuar se deputeti Strazimiri është goditur për shkak të detyrës nga dy kolegët e tij, Ndoka e Ndreu, si pasojë e deklarimeve që ka bërë gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të datës 10.07.2014, ku, ndër të tjera, ka përmendur faktin se në Parlamentin e Shqipërisë ka persona me rekorde kriminale, por pa përmendur nominalisht se për cilët bëhej fjalë. Menjëherë pas fjalës së tij, deputeti Strazimir ka dalë nga salla plenare në ambjentet e një korridori të brendshëm, ku fillimisht është goditur me grushta dy herë në fytyrë nga deputeti Arben Ndoka. Pak çaste më vonë, ai është goditur me shpullë në pjesën e pasme të kokës edhe nga deputeti Pjerin Ndreu.
Sipas hetimit dhe më tej gjatë gjykimit, Prokuroria ka administruar prova dhe dëshmi, në bazë të të cilave ka krijuar bindjen se të pandehurit kanë goditur të dëmtuarin për shkak të deklarimeve që ky i fundit ka bërë në sallën e Kuvendit. Kjo, sipas argumentave të Prokurorisë, bazohet në faktin se ndërmjet personave nuk ka pasur më parë konflikte dhe se, në momentin e konsumimit të veprës penale, dy deputetët e akuzuar nuk kanë pasur asnjë komunikim me deputetin e dëmtuar, por e kanë goditur menjëherë. Dinamika e ngjarjes është provuar në bazë të dëshmive të personave të pranishëm, si edhe nga pamjet filmike të administruara gjatë hetimit dhe të paraqitura në gjykim.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)