TIRANE- Policia e Elbasanit ka finalizuar dje operacionin e koduar “Kalaja”, duke shkatërruar grupin e falsifikatorëve të dokumenteteve të ndryshme. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se operacioni u zhvillua nga Sektori Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me Sektorin Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar.

U sekuestruan letërnjoftime të falsifikuara; 2.5 kilogramë zhivë e bardhë; 4 aparate celularë; 5 vula të institucioneve të ndryshme dhe pikave të kalimit kufitar; 1.000 dinarë; 1.000.000 lekë dhe 1.500 euro si dhe sende të tjera të cilat i shërbenin grupit për realizimin dhe bërjen e dokumentave të falsifikuara.

Ndërkohë, në pranga u vunë tre poseduesit e dokumenteve të falsifikuara dhe sendeve të tjera të sekuestruara nga efektivët e policisë. U arrestuan shtetasit Anastas Çyço, 51 vjec, banues në Elbasan; Alban Nuredini, 38 vjec, banues në Elbasan; Lulëzim Gjoci, 48 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar me parë me 3 vjet burg për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake dhe municioneve”.

policia

Operacioni 
Zbulimi i këtij grupi falsifikatorësh u zbulua në bazë të disa informacioneve të marra në rrugë operative mbi aktivitetin e të arrestuarve. Si rezultat i veprimeve operacionale dhe hetimore, grupi hetimor, ka ushtruar kontroll në banesat e tyre, ku ka gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme të falsifikuara.

Policia e Elbasanit bën me dije se në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 50 pasaporta shqiptare të falsifikuara; 3 pasaporta bullgare; 1 pasaportë greke; 3 karta identiteti bullgare; 2 leje drejtimi bullgare; 1 vizë kalimi të shtetit të Pakistanit; 200 dokumente të tjera të falsifikuara, si, leje drejtimi; leje qarkullimi; dëftesa të ndryshme pjekurije; diploma të degëve ndryshme të shkollës së lartë; certifikata personale dhe familjare; akte pronësie noteriale të qytetit të Tiranës; vërtetime të shkollave të ndryshme; vërtetime të bashkisë Elbasan.

policia

falsifikimet
Po ashtu, u sekuestruan 3 Leje Qendrimi në shtetin Italian; 1 raport mjeko-ligjorë i Poliklinikës së Elbasanit; vërtetime bosh të Drejtorisë Arsimore të qytetit të Tiranës; Akte Vlerësimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor; Certifikata Trajnimesh të ndryshme të lëshuara nga USAID; 2.5 kg zhivë e bardhë; 20 fotografi të personave të ndryshëm të cilët kanë bërë porosi për dokumenta të fallsifikuara; 4 aparate celularë; 5 vula të institucioneve të ndryshme dhe pikave të kalimit kufitarë; 1.000 dinarë; 1.000.000 lekë; 1.500 euro, si dhe sende të tjera të cilat i shërbenin grupit për realizimin dhe bërjen e dokumentave të fallsifikuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”; “Falsifikim i vulave, stampave dhe formularëve”, “Falsifikim i pasaportave dhe vizave”; “Moskallëzim krimi” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, të kryera në bashkëpunim.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)