Antimafia e Palermos ka ekzekutuar urdhër arrestimin ndaj 7 personave të akuzuar si anëtarët e kupolës së re të mafias siçiliane Cosa Nostra. Ndër të arrestuarit janë Leandro Greco, nipi i Michele Greco, “Babai” i Cosa Nostra-s, dhe Calogero Lo Piccolo, biri i bosit Salvatore Lo Piccolo
Arrestimet vijnë pas rrëfimit të dy personave të ndaluar që kanë marrë edhe statusin e të penduarit. Ata janë dy bosët e mafias Francesco Colleti e Filippo Bisconti, të cilët vendosën të bashkëpunonin me drejtësinë italiane pas arrestimit një muaj më parë.
Rrëfimi i të penduarve mafiozë ka zbuluar se kupola e re e Cosa Nostras është mbledhur për herë të parë pas vdekjes së Totto Rinas, në 29 maj të 2018 me qëllim rimëkëmbjen e mafias siçiliane pas arrestimeve të shumta të anëtarëve të tyre e goditjeve që ka marrë nga policia gjatë viteve të fundit.
Plani për rijetëzimin e kupolës mafioze Kupolës që u zbulua në dhjetor, çoi në arrestimin e 47 personave, ku përfshiheshin bosë e vartës. Midis tyre ishte: Giovanni Sirchia, i lidhur me familjen mafioze të Passo di Rigano dhe i akuzuar se ka marrë pjesë në rindërtimin e organit drejtues të Cosa Nostra-s, Giuseppe Serio, Erasmo Lo Bello, Pietro Lo Sicco dhe Carmelo Cacocciola. Këto të fundit janë akuzuar për organizatë mafioze dhe disa episode të zhvatjes në territorin e organizatës mafioze të San Lorenzos.
Të dy të penduarit kanë konfirmuar edhe riorganizimin e Komisionit rajonal të Cosa Nostra, duke zbuluar dinamikën e brendshme të saj dhe kanë dhënë elemente të rëndësishme për Leandro Greco, Calogero Lo Piccolo dhe Giovanni Sirchia.
Colletti, në krye të Komisionit të ri, u interceptua ndërsa fliste në makinë me shoferin e tij Filippo Cusimano. Leandro Greco, 29 vjeç, thirrej me nofkën “gjyshi”. Babai i tij Giuseppe, i cili vdiq disa vite më parë, kishte ndërprerë “traditën” e familjes dhe punonte si regjisor.