TIRANË - 4 persona janë arrestuar nga policia pasi dyshohet se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen e tyre.

Përmes një komunikate zyrtare, blutë bëjnë me dije se të arrestuarit Gloris Nezaj, Rezarto Rumi, Kelvin Caushi dhe Ardjan Caushimagazinonin dhe modifikonin në Selitë armët e sjella nga Kosova.

Gjatë kontrollit në ambientin e përshtatur për modifikimin e armëve dhe në banesat e të arrestuarve, policia gjeti dhe sekuestroi 8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë), pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, 3 radio si ato të policisë, jelek multifunksion dhe 9 celularë.

Njoftimi i plotë i policisë: 

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës hetimore dhe operacionale për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve, pas një hetimi 2-mujor me metoda proaktive, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Lockdown”.

Në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit:

-G. N., 39 vjeç, R. R., 48 vjeç, K. C., 49 vjeç dhe A. C., 45 vjeç, banues në Tiranë 

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht nga Kosova, i sillnin ato në Tiranë dhe më pas modifikoheshin dhe magazinoheshin në  Selitë. 

Gjatë kontrollit në ambientit e përshtatur, banesave të tyre, shërbimet e Policisë sekuestruan 8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë), pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, 3 radio si ato të policisë, jelek multifunksion dhe 9 celularë.

Nën drejtimin e Prokurorisë punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.