Policia greke ka arrestuar pesë persona në ishullin e Mykonosit, të dyshuar si pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës që, sipas hetimeve, përdorte një kompani legjitime transporti turistik për të lëvizur lëndët narkotike.
Mes të arrestuarve është edhe një shtetas shqiptar, pronar i kompanisë së furgonëve që kryente transport turistësh në ishull dhe që dyshohet se drejtonte grupin. Në pranga ka përfunduar edhe bashkëshortja e tij rumune.
Po ashtu, policia arrestoi tre shoferë të kompanisë, si dhe bashkëshorten e njërit prej të dyshuarve, e cila jeton në Athinë.
Sipas autoriteteve greke, gjatë operacionit u sekuestruan më shumë se 2.5 kilogramë kokainë, si dhe sasi të metamfetaminës kristalore, ketaminës dhe marijuanës.
Hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit vijojnë.
Komente









