Një operacion i madh antidrogë i zhvilluar në Itali ka çuar në arrestimin e 12 personave të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e kokainës. Sipas autoriteteve italiane, në rrjet ishin të përfshirë shtetas italianë dhe shqiptarë, ndërsa baza logjistike e aktivitetit ndodhej në Rovato, në provincën e Breshias.

Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të 9 qershorit nga Karabinierët e Njësisë Hetimore të Komandës Provinciale të Breshias, në kuadër të një hetimi të koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Breshias. Të arrestuarit akuzohen, sipas roleve përkatëse, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të ngritur për trafikimin e lëndëve narkotike.

Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për një nga goditjet më të rëndësishme antidrogë të muajve të fundit në territorin e Breshias. Përveç kësaj province, operacioni u shtri edhe në Bergamo, Ankona, Brindizi, Groseto dhe Mantova. Karabinierët kryen kontrolle edhe ndaj 13 personave të tjerë që dyshohet se kanë pasur lidhje me aktivitetin kriminal.

Hetimet kishin nisur në tetor të vitit 2023 pas arrestimit të një shtetasi shqiptar. Nga veprimet e mëtejshme hetimore, autoritetet thonë se identifikuan një strukturë të organizuar të përbërë nga italianë dhe shqiptarë, e cila vepronte kryesisht në zonat e Breshias dhe Bergamos, por kishte shtrirje edhe në rajone të tjera të Italisë, veçanërisht mes Markeve dhe Pulias.

Sipas dyshimeve të hetuesve, grupi përdorte një piceri në zonën përreth Breshias si mbulesë për aktivitetin e trafikimit me shumicë të kokainës. Për transportin e drogës përdoreshin automjete të pajisura me vende të fshehta, të ndërtuara posaçërisht për t'iu shmangur kontrolleve të policisë.

Gjatë fazave të mëparshme të hetimit, Karabinierët kishin arrestuar në flagrancë 11 persona dhe kishin sekuestruar rreth 3 kilogramë kokainë, elementë që, sipas autoriteteve italiane, forcuan dyshimet dhe çuan në operacionin e zhvilluar këtë të martë.