Në këto pamje shfaqen agjentët e Antidrogës së Tiranës, të cilët pranë Komunës së Parisit, arrestojnë 2 persona për trafik droge.
Blutë goditën një nga rrjetet e dyshuara të furnizimit me heroinë në kryeqytet, duke sekuestruar sasi të konsiderueshme. Në operacionin e koduar "Zonat", për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta në Tiranë, u arrestuan në flagrancë Gëzim Muhameti, 51 vjeç, nga Tirana, dhe Zhuljan Prençi, 35 vjeç, nga Gjirokastra. Efektivët lokalizuan automjetin me të cilin lëviznin dy të dyshuarit dhe e ndaluan në rrugën "Prokop Mima" dhe gjatë kontrollit të makinës dhe të dy perssonave, u gjet dhe u sekuestrua 1 kilogram e 71 gramë heroinë, që u mor në cilësinë e provës materiale.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se njëri prej tyre, Gëzim Muhameti, i njohur edhe me mbiemrin Demiri dhe me nofkën "Gëzim Qorri", dyshohet se prej më shumë se dy dekadash është i përfshirë në aktivitetin e trafikut të drogës. Ai konsiderohet si një nga furnizuesit kryesorë të heroinës për grupe të ndryshme kriminale që operojnë në kryeqytet. Sipas të dhënave paraprake, heroina sigurohej në zonën e Elbasanit, ku Muhameti dyshohet se kishte lidhje me persona të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa më pas organizonte transportin dhe shpërndarjen e saj në Tiranë. Hetimet kanë ngritur dyshime se ai ka qenë i përfshirë edhe në dërgimin e heroinës drejt Italisë, ndërsa origjina e lëndës narkotike dyshohet të jetë Turqia.
Policia dyshon se sasia e sekuestruar do t'u shpërndahej personave të tjerë për t'u shitur në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në Tiranën e Re. Vlera e heroinës së bllokuar në tregun e paligjshëm llogaritet të jetë mbi 50 mijë euro. Gëzim Muhameti rezulton i dënuar edhe më herët për vepra penale që lidhen me narkotikët.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente







