Tirane- Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë uli me 6 muaj burg dënimin për Rei Metën, djalin e anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Seiti, i cili është autori i vrasjes me grusht të biznesmenit të ndërtimit Armando Meshaut, ndodhur në 7 gusht 2023,  në lagjen “Hajro Cakërri” të Vlorës.

Vendimi u mor sot nga trupa gjykuese e përbërë nga relatore Gjyqtare Diamela Goxha dhe anëtare Valdete Hoxha dhe Qemal Zaimi.

Dënimi me 3 vite burg

Më 20 mars të këtij viti Gjykata e Vlorës e kishte dënuar me 3 vite burg Rei Metën duke e deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale  “Vrasja  nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale, Meta përfitonte uljen me 1/3 e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri do të vuante 2 vjet burgim.  Vuajtja e dënimit fillonte nga dita e arrestimit të tij më datë 07/08/2023 dhe pjesa e mbetur kryhej në një burg të sigurisë së zakonshme.

Apelimi

33 vjeçari ankimoi vendimin në Apelin e Tiranës ku sot u mbajt seanca. Meta kërkoi në Apel ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Vlorës dhe 'Deklarimin e pafajshëm të tij për shkak se fakti është kryer në prani të një shkaku të përligjur që është mbrojtja e nevojshme, dhe nëse Gjykata nuk bindet për pafajësinë e të pandehurit". Po kështu në alternativë kërkonte deklarimin fajtor dhe dënimin e tij për veprën penale të “Vrasjes nga pakujdesia”, sipas nenit 85 të K. Penal duke e dënuar me gjobë.

Gjithashtu në njoftimin e gjykatës së Apelit thuhej se "ndaj këtij vendimi kanë ushtruar ankim trashëgimtarët e viktimës të të ndjerit Armando Meshau, të cilët janë  shprehur që në lidhje me cilësimin juridikë të veprës penale, kjo gjë është në kompetencë të gjykatës dhe organit të procedurës dhe nuk paraqesim pretendime. Trashëgimtarët e viktimës i  kanë normalizuar marrëdhëniet me njeri- tjetrin dhe nuk kanë pretendime per vendimet e gjykates dhe mosmareveshjet civile do ti zgjidhin me mirëkuptim me njëri tjetrin ose në rrugë gjyqësore civile"

Prokurori pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Genti Xholi, gjatë gjykimit, në seancë gjyqësore parashtroi se: Qëndrimi, cilësimi juridik dhe lloji i dënimit është i drejtë dhe duhet lenë ne fuqi, për sa i përket masës se dënimit e le ne vlerësimin të gjykatës.

Ulet denimi me 6 muaj

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues vendosi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së Vlorës sa i takon cilësimit juridik të veprës penale dhe fajësimit të të pandehurit por ndryshimin e masës së dënimit.

Duke u dënuar i pandehuri R. M me 2 vjet e 3 muaj burgim.  Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 18  muaj burgim. 

Gjithashtu Apeli nuk pranoi ankimin e paraqitur nga trashëgimtarët e viktimës për mungesë legjitimimi.

Vrasja ne qendren e internetit
Ditën kur ndodhi ngjarja, 7 gusht 2023, Rei Meta kishte shkuar në Vlorë për të takuar shokun e tij si dhe nënën e tij, e cila gjendej në Vlorë. Rreth orës 12.30, ai ka qenë tek një kafe pranë Internetit ku ndodhi ngjarja, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Djali i anëtares së KLP-së pretendonte se viktima nisi i pari sherrin dhe se ai nuk kishe dashur ta vriste. Konflikti kishte nisur për një tokë që ai kishte ndërmjetësuar si sekser që Armando ta blinte por më pas nuk kishte marrë pjesën e parave që i ishin premtuar.