Një 32-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim, është arrestuar nga Forcat Operacionale në Tiranë pasi ishte shpallur në kërkim për goditje për shkak të detyrës.

U vu në pranga Elvis Roshi pasi akuzohet se ka goditur bashkë me tre të tjerë një punonjës në burgun e Fierit. Policia arrestoi gjithashtu edhe 4 të tjerë Ermir Peqini, Dorian Cera, Arbit Nure dhe Fabjan Muçaj, të cilët e ndihmuan shtetasin në kërkim që t'i fshihej Policisë.    

Ndaj 32-vjeçarit Elvis Roshi nga Fieri, gjykata e Fierit kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës", kryer në bashkëpunim. Katër të rinjtë që u arrestuan gjithashtu akuzohen për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit".    

Njoftimi i policise: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 71”.   

Kapet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, si dhe arrestohen 4 shtetas të cilët e ndihmuan shtetasin në kërkim që t'i fshihej Policisë.    

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, lokalizuan dhe kapën në Tiranë, në kuadër të operacionit “Operacionalja 71”, shtetasin E. R., 32 vjeç, banues në Fier.   

Ai ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës", kryer në bashkëpunim. 32-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, ka goditur me grushte, për shkak të detyrës, 1 punonjës të IEVP Fier.   Gjatë operacionit, u kapën edhe shtetasit që shoqëronin 32-vjeçarin, E. P., 33 vjeç, D. C., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë, A. N., 29 vjeç dhe F. M., 26 vjeç, të dy banues në Fier, të cilët u arrestuan në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit".    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.