
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka reaguar për zjarrin që përpiu tregun e veshjeve te ish-Uzina Dinamo në Tiranë. Institucioni thotë në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale se ngjarja prej së cilës janë goditur 50 biznese, është një goditje për familjet dhe sipërmarrjen e vogël.
Reagimi vijon me thirrjen se kjo situatë duhet të shërbejë si kambanë alarmi për sigurimin e bizneseve në raste fatkeqësish natyrore e aksidentale, siç është standardi i Bashkimit Europian ku Shqipëria synon të anëtarësohet.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në tregun e rrobave të përdorura, ku si pasojë e rënies së zjarrit janë dëmtuar rëndë dhe janë shkrumbuar rreth 50 biznese.
Kjo ngjarje përbën një goditje të fortë për dhjetëra familje që siguronin jetesën përmes këtyre aktiviteteve, si dhe për sipërmarrjen e vogël, e cila është një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë lokale.
Njëkohësisht, kjo situatë duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për të gjitha bizneset, mbi domosdoshmërinë e sigurimit të aktiviteteve të tyre, në mënyrë që të kenë mundësi reale për t’u rikuperuar pas fatkeqësive natyrore apo aksidentale, si zjarret dhe përmbytjet, me të cilat po përballet Shqipëria ditëve të fundit.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e synimit të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, ku standardet e menaxhimit të riskut dhe mbrojtjes së biznesit janë thelbësore për qëndrueshmërinë ekonomike dhe zhvillimin afatgjatë”, përmbyll postimi.
Lajmi kryesor:
PAMJET ME DRON/ Zjarri përpiu 100 magazina, tregu i ish-Uzinës Dinamo kthehet në gërmadhë hiri! Tregtarët në lot: Ambientet të pasiguruara








