'Goditjet i bëri Amerika?', Rama nga New York: Pse nuk e bëri me parë SHBA reformën në drejtësi?! Ishte vullneti ynë pa u bë (Fjalimi i plotë)

“Krenarë për Shqipërinë” rinisi sot udhëtimin nga New Yorku me shqiptarët e Amerikës, të cilët mikpritën Kryeministrin Rama në një takim, në vendin ku ata jetojnë e punojnë prej dekadash tashmë. Njëkohësisht, ky është takimi i parë pas vendosjes të së drejtës së çdo shqiptari jashtë Shqipërisë, për të votuar nga aty ku banon.

Fjalimi i plote

Të dashur shqiptarë të Amerikës,

Motra dhe vëllezër,

Kjo është një ditë shumë e posaçme për mua, që të ndodhem këtu me ju, jo thjesht si bashkatdhetarë matanë oqeanit, as thjesht si qytetarë me të drejtë vote në Shqipëri, po tanimë edhe si votues, me mundësinë për herë të parë të pjesëmarrjes në zgjedhje nga këtu në Amerikë.

Më është dashur të përpiqem gjatë për hir të së vërtetës së bashku me kolegët e partisë time dhe të ndihem i sekëlldisur më shumë se sa një herë në këto vite, kur kanë ardhur zgjedhjet, por jo mundësia juaj për të zgjedhur nga këtu në Shqipëri.

Tanimë edhe ky është një premtim i mbajtur dhe jam këtu sot, bashkë me disa kolegë të mitë, përpara jush dhe të gjithë shqiptarëve të Amerikës, për t’ju thënë se në pranverën e ardhshme, dua votën tuaj nga Amerika, për ta bërë Shqipërinë 2030, anëtare të Bashkimit Europian dhe për ta ngritur, bashkë me ju, flamurin e Skënderbeut dhe Ismailit Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian në Bruksel, krah për krah të gjithë flamujve të tjerë të familjes së madhe europiane të cilës i kemi përkitur gjithmonë historikisht por historia gjithmonë na ka penguar t’i bashkohemi. Dhe sot është dita për ta bërë së bashku historinë.

Ky është premtimi i premtimeve, thelbi i misionit tim në krye të qeverisë shqiptare, krye angazhimi i Partisë Socialiste që në krye të herës, dhe ky është zotimi ynë i pandryshueshëm i të treja mandateve të mia dhe vetë kuptimi i mandatit tonë të katërt për Shqipërinë.

Rruga e Shqipërisë gjatë periudhës që unë kam pasur privilegjin të udheheq këtë përpjekje tonë të përbashkët drejt bashkimit me Europën, i ngjan shumë rrugës së çdo emigranti shqiptar në përpjekjen e tij për t’u pranuar dhe integruar me sukses në Europë dhe Amerikë.

Kur unë e  mora detyrën këtu e 11 vjet më parë, Shqipëria shihej me dyshime dhe me plot paragjykime nga bota, ashtu sic shiheshin shqiptarët, ashtu sicc shiheshit ju kur keni shkelur për herë të parë jashtë Shqipërisë, ndërkohë që qeveria shqiptare nuk gëzonte më asnjë respekt. Kryeministri ishte thuajse i izoluar prej disa vitesh; as e vizitonte dhe as e ftonte më kush prej udhëheqësve të vendeve europiane.

Ndërkohë që rruga europiane e Shqipërisë ishte e bllokuar.

Vendi ishte në telashe të mëdha ekonomike e financiare. Qeveria e zhytur në borxhe ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve të cilat kishin mbetur rrugëve dhe shërbimeve për sektorin publik, që nga spitalet deri tek shkollat.

40 milionë dollarë ishte borxhi i qeverisë vetëm i detyrimeve të papaguara ndaj invalidëve e personave me aftësi të kufizuara. Rreziku i kolapsit energjitik më i madh se kurrë dhe borxhi ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike ishte 1.3 miliardë dollarë dhe gjyshmë e shqiptarëve që paguanin edhe për gjysmën tjetër dhe gjysmën që nuk paguante më energji elektrike. Spitalet nuk kishin më ilaçe dhe familjarët i shtronin të afërmit e tyre në spital bashkë me çarçafë e batanije nga shtëpia.

Shqipëria kishte nivelin më të lartë të infeksioneve post-operatore për shkak të instrumentave mjekësorë të amortizuar dhe sistemit të sterilizimit të shkatërruar.

Autoambulancat dhe automjetet e policisë fikeshin në rrugë nga mungesa e karburantit. Mesatarja vjetore e vrasjeve ishte një vrasje çdo tre ditë. Korrupsioni i pranishëm në çdo kontakt  të qytetarit me shtetin, deri edhe për të marrë një çertifikatë të gjendjes civile duhet të paguaje rryshfet, ndërkohë që për çdo copë letër nga shteti duhet të rrije në radhë.

Turizmi në Shqipëri ishte një sektor që mbahej gjallë nga malli i emigrantëve dhe patriotizmi i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.

Qytetet e Shqipërisë ishin të mbuluara nga pluhuri dhe rrënimi ishte emëruesi i tyre i shesheve të tyre kryesore, ndërkohë që Tirana kishte ndalur njësoj si sahati që  ishte gjithnjë 12 edhe koha e e zhvillimit  Kanalet ujitëse e kulluese humbin çdo vit mes ferrave e plehrave dhe më shumë se sa gjysma e tokave të bukës nuk punoheshin se nuk kishin ujë, ndërsa pikat e grumbullimit të prodhimit numëroheshin me gishtat e njërës dorë në tërë Shqipërinë. Për agroturizëm as bëhej fjalë. Paga minimale ishte 150 Euro dhe paga mesatare në sektorin publik ishte 370 Euro.

Prodhimi i përgjithshëm i vendit 12 miliardë Euro dhe angazhimi në punë i forcave të punës nën 50%.

Borxhi publik ishte jashtë kontrollit dhe në terma realë ai kishte kaluar tavanin e 80%-shit, duke e bërë Shqipërinë një vend me litarin në fyt përballë tregjeve financiare ndërkombëtare.

Drejtësia ishte një pazar i madh, ku e drejta shitej e blihej si mall dhe pandëshkueshmëria ishte fjala sinonim i emrit Shqipëri në çdo vlerësim e raport ndërkombëtar për vendin tonë.

Sot, realiteti i zymtë i vetëm një dekade më parë është përmbysur në çdo sektor dhe era e re e shtetit fryn gjithnjë e më e fortë, falë edhe një bashkëpunimi të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Në vetëm një dekadë kemi dyfishuar prodhimin e përgjithshëm kombëtar, duke shënuar rritjen më të lartë relative në rajon. Kemi trefishuar pagën minimale dhe po ashtu pagën mesatare në sektorin publik, e cila ka arritur këtë vit në 900 Euro. Kemi rritur angazhimin në punë të forcave të punës nga më pak se 50% në afro 70%. Jemi të parët në rajon edhe në rritjen e Prodhimit të Brendshëm për frymë, me mbi 100%, si asnjë vend tjetër dhe nëse një dekadë më parë ishim të parafundit me 4400 USD për frymë, sot jemi mbi mesataren e rajonit me 9400 USD për frymë dhe renditemi të tretët, pas Serbisë dhe Malit të Zi që kjëtë transformim e kanë filluar shumë vite më parë se sa ne.

Pagat reale në sektorin privat në Shqipërisë janë sot plotësisht konkuruese me rajonin dhe në sektorin e turizmit janë thuajse në një nivel me Greqinë.

Por më e rëndësishmja nga të gjitha sot është se Shqipëria nuk është më vendi i një kaste të fuqishmish mbi ligjin dhe kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë goditjen e parë vdekjeprurëse të historisë sonë, të parën qysh prej themelimit të shtetit shqiptar në vitin 1912. Të gjithë shqiptarët edhe nëse s’janë historianë, dinë aq histori sa duke e kthyer kokën mbrapa të shohin se qysh prej vitit 1912 për herë të parë në historinë tonë, njerëz të veshur me pushtet politik apo të lidhur me pushtetin politik, i janë nënshtruar forcës së ligjit të barabartë për të gjithë, pavarësisht pozicionit apo lidhjes së tyre me partitë politike qoftë në qeveri qoftë  në opozitë. Kurrë më parë në historinë tonë, një individ me profil të lartë politik nuk është hetuar, gjykuar a dënuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga politika.

Të gjithë ata që janë dënuar më parë, që nga ministrat e kohës së diktaturës e deri tek ish-kryeministri Fatos Nano, kanë qenë të dënuar politikë të një drejtësie, e cila qoftë në dikaturën komuniste e qoftë në demokracinë fëminore shqiptare, ka qenë e urdhëruar dhe e manipuluar nga partia në pushtet.

Sot historia e partisë në pushtet që kontrollon dhe orienton drejtësinë ka marrë fund, e unë jam krenar që me votën e shqiptarëve ne, Partia Socialiste në pushtet, udhëhoqëm një reformë të thellë në drejtësi, të cilën nuk e ka bërë asnjë nga vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian, përpara se sa të hynte në Bashkimin Europian, e lëre pastaj nga vendet e rajonit tonë, ku ende nuk ka ndodhur ajo që po ndodh në Shqipëri dhe për të cilën Shqipëria po merr edhe vlerësimet maksimale dhe mbështetjen maksimalke të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian. Unë Jam krenar që me largpamësi, kurajo dhe vullnet të hekurt, ne bëmë atë që asnjë forcë politike dhe asnjë pjesë e pushtetit politik në Shqipëri, qysh nga 1912 nuk e bëri dot, i hoqëm duart e pushtetit politik nga drejtësia dhe e bëmë me vetëdijen e plotë për koston e pashmangshme politike të goditjeve, që drejtësia e re po jep edhe në vetë radhët tona, ku askush nuk është më i paprekshëm dhe ku cilido që kërkohet nga drejtësia nuk merr asnjë mbrojtje politike nga ne. Ky është investimi më i madh politik i Partisë Socialiste të shekullit të ri dhe kjo është shprehja më shembullore e besnikërisë sonë ndaj zgjedhësve që na votuan tre herë rresht dhe do të na votojnë përsëri, për ta bërë Shqipërinë një shtet europian të së drejtës në Bashkimin Europian, ku barazia para ligjit vlen njësoj, si për qytetarin e zakonshëm, si për kryeministrin e vendit.

Ju mbase edhe më shumë se sa shqiptarët në Shqipëri, i ndiqni me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, e me siguri lexoni, shihni dhe dëgjoni edhe se sa shumë përpjekje bëhen përmes kanaleve mediatike, për t’ju bindur ose se reforma në drejtësi është një bllof i qeverisë për të goditur kundërshtarët politikë përmes organeve të reja të drejtësisë, ose ekstremi tjetër, se reformën në drejtësi e bëri Amerika dhe goditjet e shumëpritura nga opinioni i gjerë publik, të të korruptuarve të paprekshëm në Shqipëri po i bën Amerika. Po Amerika aty ishte edhe përpara ardhjes sonë në qeveri dhe fuqinë e saj në Shqipëri, Amerika  e kishte po aq të madhe sa ç’e ka.

Amerika aty është edhe në vendet e tjera të rajonit, ato që janë në NATO apo ato duan të hyjnë në NATO.

Si ka mundësi që nuk e solli më parë Amerika këtë peshqesh të madh për shqiptarët që e kërkonin drejtësinë edhe më parë, por jetonin nën thundrën e një drejtësie të korruptuar e të nënshtruar kokë e këmbë ndaj pushtetit politik? Po pse nuk e bëri Amerika xhanëm në ndonjë vend tjetër të rajonit, këtë reformë kaq rrënjësore, e cila fshiu me një fshesë të hekurt një masë të madhe gjykatësish e prokurorësh të korruptuar në Shqipëri, duke i hapur rrugë krijimit të organeve të reja të drejtësisë, që po nxjerrin ujin e zi të korrupsionit nga pusetat deri dje të mbyllura me peshën e rëndë të pushtetit politik e të vetë korrupsionit në pushtet?!

Për të gjithë ata që duan ta shohin e ta dëgjojnë të vërtetën, e për çdokënd që do ta kuptojë drejt atë që ka ndodhur gjatë kësaj dekade të qeverisjes sonë, e vërteta është e thjeshtë dhe e qartë.

Ajo është e shkruar fillimisht në programin elektoral të Partisë sonë për zgjedhjet e mandatit tonë të parë, ku Reforma në Drejtësi ishte e shënuar si angazhim prioritar. Dhe të gjithë atyre brenda nesh kur shkruanim programin që më thoshin, po si mund ta marrim ne këtë angazhim, kur për ta realizuar këtë angazhim duhen shumë më tepër viota në parlament se sa votat që ne do të marrim edhe sikur të fitojmë zgjedhjet dhe unë përgjigjesha ne duhet jo vetëm ta shkruajmë, por duhet ta kthejmë në fiksimin tonë që pa shembur pallatin e korruptuar të drejtësisë dhe pa i hapur rrugën një drejtësie të pavarur nga  pushteti politik, të gjitha të tjerat nuk kanë asnjë vlerë dhe kjo është një nevojë kombëtare, së cilës i ka ardhur koha dhe duke udhëhequr me këtë bindje ne do ta gjejmë rrugën që ti përgjigjemi kësaj nevoje dhe që më në fund çdo shqiptar ta arrijë ta shikojë, ta prekë, ta kuptojë se ligji i barabartë për të gjithë, nuk është vetëm në letër, por është edhe ne realitetin e marrëdhënieve me drejtësinë. Dhe mjafton të shikosh të gjithë kronikën e këtyre viteve përpjekje kolosale, që nga fillimi i punës për reformën dhe kur ne ishim vetëm dhe kur e vetmja mbështetje që kishim ishte mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian të cilët për hir të vërtetës, edhe ata na shikonin me dyshim se a ishim seriozë deri në fund dhe a do ti shkonim dot deri në fund kësaj përpjekje sepse në thelb ata e dinin shumë mirë që kjo përpjekje kushtin e vet të patjetërsueshëm kishte që ne partia në pushtet të ngrinim dorën në parlament për të votuar një reformë që i hapte rrugë një drejtësie të pavarur dhe për të hequr duar tona nga drejtësia. Dhe që nga fillimi i punës për reformën, te miratimi i saj në Kuvend, ku të detyruar nga presioni ekstrem i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian kundërshtarët e reformës në drejtësi, ata që sot e gjithë ditën ulërinin tanimë nga dhimbjet e drejtësisë kundër organeve të drejtësisë erdhën dhe ngritën dorën për ta miratuar reformën, por kokën e mbanin ulur dhe deri te zbatimi i saj në ditët tona që po e sheh çdo shqiptar i madh dhe i vogël është përpjekja historike që po jep frytet e veta konkrete dhe që nuk do të ndodhte pa vullnetin e Partisë Socialiste të Shqipërisë. 

Padiskutim që mbështetja e paçmueshme e aleatëve tanë strategjik që nga ata në Uashington dhe ata në Bruksel, ishte e domosdoshme, por pa vizionin dhe vendosmërinë tonë për ta kthyer votën e popullit në një fuqi të madhe, për ta shembur pallatin e drejtësisë së korruptuar dhe për ta tërhequr pushtetin politik përfundimisht nga territori i pushtetit gjyqësor, kurrë, asnjëherë, drejtësia e re nuk do të merrte jetë dhe të ushtronte siç po e bën sot forcon e barabartë të ligjit edhe mbi vetë eksponentët e pushtetit politik.

Nuk ka asnjë diskutim se pa mbështetjen e aleatëve tanë ne nuk do t’ia dilnim dot të nënshtronin rezistencën e jashtëzakonshme të forcave që nuk e donin reformën në drejtësi, por të mendosh që kjo reformë do të bëhej dot ndonjëherë realitet dhe se një parti në pushtet në Shqipëri do të goditej edhe vetë nga një drejtësi e pavarur, siç po goditet sot edhe vetë Partia Socialiste deri në nivelet më të larta. Nëse ne nuk do ta kishim këtë vullnet do të thotë “të merresh me gishtin, kur gishti tregon hënën” – kjo është e vërteta dhe nuk ka asnjë të vërtetë tjetër ashtu sikundër ka vetëm një të vërtetë në lidhje me aftësitë shtet-bërëse të politikës shqiptare për Shqipërinë anëtare në Bashkimin Europian. Kjo e vërtete është se Shqipëria e kësaj faze e historisë së saj ka vetëm një forcë shtetbërëse, Partinë Socialiste të Shqipërisë, pa të cilën në udhëheqjen e saj Shqipëria nuk do ta bënte dot reformën në drejtësi, as nuk do ta godiste dot kurrë korrupsionin, pa dallim ngjyrash dhe siglash politike, as nuk do të ulej dot sot në çdo tryezë dhe forum  të lartë ndërkombëtar si e barabartë mes të barabartësh, as nuk do të bëhej kurrë një histori ndërkombëtare suksesi në Mesdheun turistik me rritjen më të lartë të turizmit në Europë dhe me aeroportin e vet ndërkombëtar që është aeroporti me rritjen më të  lartë të pasagjerëve në Europë dhe as nuk do të mikpriste kurrë në Tiranë për herë të parë në historinë e vet, të parin samit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor jashtë kufijve të Bashkimit Europian. Shqipëria në krye të OKB-së, Shqipëria këtu në Neë York në tryezën e sigurimit të OKB-së, Shqipëria mikpritëse e Samitit të Komunitetit Politik Europian vitin e ardhshëm, kur do të vijnë në Tiranë udhëheqësit e të gjitha demokracive të kontinentit, nga Britania në Ukrainë dhe nga Suedia në Turqi. Dhe Shqipëria mikpritëse e Samitit të NATO-s në vitin 2027 kur të gjithë liderët e vendeve NATO-s do të zbarkojnë në Shqipëri, është një Shqipëri e rilindur këtë dekade, e cila ju e dini më mirë se të gjithë nga një emër i sikletshëm jashtë atdheut kur e pyesin nga je? Është kthyer dhe po kthehet përditë e më shumë në një emër krenarie kur thua, - “I’m from Albania”.

Unë nuk ka ardhur këtu sot t’iu them që Shqipëria është një fushë me lule, sepse nuk është. Përkundrazi kemi akoma shumë ferra për të pastruar dhe kemi akoma jo pak plagë për të shëruar. Por kam ardhur këtu për t’ju thëne se jam sa krenar për gjithçka të mirë kemi bërë deri këtu, aq edhe i vetëdijshëm për sa shumë akoma mbetet për të bërë. E prandaj kam ardhur këtu për t’iu kërkuar që ta vazhdojmë dhe ta përmbushim sëbashku këtë mision të nisur një dekadë më parë, për ta ngjitur Shqipërinë në majën e 2030 duke e bërë përfundimisht të pakthyeshme rrugën drejt Europës dhe duke bërë për vendin tonë, për shtetin tonë, për flamurin tonë atë që çdo shqiptar si ju në Amerikë apo Europë ka bërë për veten e vet, për familjen e vet, për të ardhmen e fëmijëve të vet duke u bërë pjesë krenare e pandashme e bashkësisë ku sot jeton dhe punon këtu në Amerikë apo matanë oqeanit në Europë.

Tani kam pasur një debat me miqtë dhe kolegët e mi për të marrë pyetje nga apo për të mos marrë pyetje nga ju. Pjesa me madhe thoshin kryeministër bëj një fjalim të gjatë dhe mos merr pyetje se nuk i dihet. Por duke qenë se ju keni ardhur këtu sot dhe duke qenë se me siguri fjalime nga unë e keni kollaj fare ti dëgjoni, se kudo ku të shtypni butona unë iu dal, madje edhe në frigorifer nganjëherë për ata që më ndjekin shpesh mund t’iu duket sikur jam diku aty mes atyre të tjerave që keni. Unë besoj që nuk mund të iki pa marrë disa pyetje nga dhe pa iu përgjigjur disa pyetjeve të tuat që natyrisht do të na ndihmojë që ky takim të trajtojë edhe çështje tuajat të cilat ju keni interes ti trajtoni me mua.

Problemi kryesor i shqiptarëve është mbajtja e radhës se të gjithë duan të jenë të parët në radhë, mundësisht nëse do mbajmë pak radhë, do të arrijmë të bëjmë një bashkëbisedim ku të gjithë do marrin pjesë duke dëgjuar, se në fund të fundit pyetjet pak a shumë janë po ato.

Shumë faleminderit dhe një herë për këtë mikpritje!

Shumë faleminderit edhe miqve që më dhanë kënaqësinë e jashtëzakonshme të jem mbrëmë në hapjen e NBA, se aty ju e dini që po s’të ftoi njeri, nuk shkon dot, se s’ka Zot që i blen dot ato bileta, por duke qenë se këtu është atdheu i basketbollit, dua t’ju jap edhe një lajm se s’mund ta jepja dot në Shqipëri pa jua dhënë juve. Ju e dini që kemi filluar punimet për të ngritur Akademinë Sportive të Manchester City në Durrës dhe jemi në bisedime për të ngritur po në Durrës edhe një akademi të NBA.

S.G/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • koli: 28/10/2024 08:13

    Ishte vullneti juaj pas presjonit gjigand qe ju beri USA. Tani qe po te ngushtohet laku dhe e di fundin me gjysmen e qeverise ne burg dhe gjysmen tjeter per ne burg, deshte te deligjitimoje spakun me komisjonin antispak te xhafes. kur e pe qe nuk te eci del me teza amnistie. Te gjithe per burg jeni. E keni masakruar kete popull dhe kete vend ne nivelin me te poshter.

    Përgjigju
  • Sapa: 28/10/2024 05:52

    Me pare USA e quajti edhe Saliun burre shteti.

    Përgjigju
    • Tahipi: 28/10/2024 08:20

      Man of state e quajti dhe nuk kishte kuptimin qe perkthehet . Fakt eshte qe saliu ishte burr shteti jo burre i zakonshem kaq ishte kuptimi, u be legjend ajo fjale pa pike rendesie

  • Po mër po: 26/10/2024 21:01

    Pasi SHBA pa që reforma për në demokraci i dështoi, tani po bën reformën në drejtësi që do dështojë sepse gomari nuk lidhet nga bishti.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë