Goedemorgen meneer!*)/ Nga Gëzim Qëndro

Goedemorgen meneer!*)/ Nga Gëzim Qëndro<br>
Urdhëri për t’u zgjuar erdhi në formën e piskamës së mprehtë të ziles e cila ishte siç duhej, acaruese dhe e paapelueshme. Nxora dorën poshtë jorganit dhe symbyllur e ndala me një goditje të saktë të krahut të stërvitur prej kohësh. Hapa me mundim sytë dhe pashë rrotull në gjysmë errësirën e dhomës. Kish filluar të gdhinte. Copa e hirnosur e qiellit dimëror të Amsterdamit pas katërkëndëshit të dritares ishte një arsye më shumë për të mos lëvizur nga shtrati. Me hundën fshehur nën jorgan peshova shanset që kisha për të fjetur edhe ca. Por llogaria, sido që e sillja nuk dilte; duhej të çohesha patjetër. Përpara diplomës së Akademisë parashikohej të jepnim një numër orësh mësimi në qytete të ndryshme, të cilat kishin jo pak, por gjashtë kredite të çmuara, prandaj në orën 8.30 duhej të isha në qytetin …. Kështu që, fare pa qejf u çova dhe pasi kreva si somnambul ritualin e zakonshëm të përgatitjeve të mëngjesit, vajta me biçikletë në stacionin e trenit duke uruar, teksa e lidhja me zinxhir, ta gjeja përsëri aty kur të kthehesha pasdite. Në kryeqytetin holandez vjedhja e biçikletave ishte sporti më popullor, kjo, e ndihmuar edhe nga fakti që numri i tyre e kalonte ndjeshëm atë të banorëve të tij.

Gjatë udhëtimit lexova edhe një herë mësimin Paradigma onirike në artin surrealist ilustruar me veprat e disa autorëve, Magrit, Delvo, Dali dhe mbështetur në teoritë e njohura të Frojdit. Pas leksionit do t’u kërkoja studentëve që gjatë disa seancave në javët në vazhdim, të pikturonin ndonjë ëndërr që e kishin parë kohët e fundit. I kënaqur që i kisha vënë punët kaq mirë në vijë dremita pak, deri sa, pas më shumë se një orë e ca udhëtim mbërrita në qytetin e caktuar. Zbrita nga treni i mpirë nga qëndrimi i gjatë palëvizur dhe gjumi i parehatshëm. Edhe këtu mbi qytetin e vogël ende të përgjumur varej po i njëjti qiell i zymtë që kisha lënë pas. Me sa duket qiejt dramatikë me re të vrenjtura të çara fuqishëm nga rreze të shkëlqyera dielli që ndriçojnë si projektorë qiellorë ekzistonin vetëm në traditën e peizazhit hollandez të shekullit të XVII.

Tani puna ishte të gjeja sa më shpejt shkollën, pasi edhe paraqitja me vonesë kushtonte pikë. Në sekretarinë e akademisë më kishin dhënë udhëzime të përpikta: …dil nga stacioni vetëm nga dera kryesore, pastaj vazhdo drejt dhe më pas, aty ku ndahen dy rrugë, kthehu djathtas… Pastaj më shënuan në një fletë blloku emrin e rrugës ku ndodhej shkolla duke më porositur të mos e humbja. Merak i kotë. Sigurisht që diku e kisha harruar sepse nuk po e gjeja as në çantë dhe as nëpër xhepa. Pas përgjumjes të tren, paaftësisë time për t’u orientuar në qytete të panjohura dhe pa pusullën me emrin e rrugës, s’do mend që kur erdhi çasti, në vend të merrja djathtas, u ktheva majtas dhe këtu zë fill situata groteske që rrodhi më pas. 

Pasi dola nga stacioni dhe eca nja pesëdhjetë metra pas kthesës vura re se po hyja në një pyll të vogël të lezetshëm me ndoca rrugë të shtruara me zhavorr dhe ndonjë stol aty-këtu. Pra, diçka midis parkut dhe pyllit. Përballë meje pashë të shfaqeshin në kthesë, pas një shkurreje të madhe dy burra të moshuar të mbështjellë me pallto që me duart e zhytura thellë në xhepa, ecnin hijerëndë pa folur. Kur u afruan pranë meje pashë me çudi se të dy, si t’i bindeshin një urdhëri të padukshëm nxorën njëkohësisht duart nga xhepat dhe më përshëndetën me një përkulje ceremoniale të kokës: goedemorgen, mijnheer (hol. mirëmëngjes zotëri). I ndjerë në faj për mospërfilljen time, ua ktheva edhe unë përshëndetjen (ndonëse jo aq ceremoniale sa ata), duke menduar ndërkohë sa larg ishin standardet e këtushme të mirësjelljes me ato të Amsterdamit, ku një përshëndetje e tillë ishte e papërfytyrueshme. Provincat, thashë me vete, s’ke ç’thua, sidoqoftë, ca gjëra të mira i kanë, ja si mirësjellja, përshëndetjet e të tilla gjëra si këto, në dukje të parëndësishme, po asnjëherë të tepërta.

Ndërkohë në fund të rrugës u shfaq një grua e moshuar që me sa dukej po bënte e ngeshme ritualin e shëtitjes së mëngjesit. Por këtë radhë nuk e lashë veten të kapesha gafil, pasi me t’u bërë ajo gati të më përshëndeste, edhe unë bëra të njëjtën gjë i bindur se edhe kapelën do ta kisha hequr sikur të kisha, aq i kënaqur ndihesha që pas disa vitesh mes mospërfilljes së një vendi të huaj, mund të shijoja mirësjelljen e këtyre njerëzve kaq miqësorë. Për pak harrova përse isha aty. Po më dukej vetja si Liza në Botën e Mirësjelljes. Kështu ndodhi edhe me dy gra të tjera që i takova më pas, që nuk harruan të më përshëndesnin po njëlloj, deri sa i thirra mendjes se nuk kisha ardhur të shijoja mirësjelljen në këtë vend të çuditshëm, pasi edhe Liza dikur doli nga bota ku kish rënë. Pashë përqark, kudo pemë dhe rrugë që nuk e dija se ku të shpinin.  Me sa duket isha ngatërruar diku pasi kisha dalë nga stacioni. Prandaj vendosa të pyes ndonjë nga njerëzit e sjellshëm që me siguri do të tregoheshin të gatshëm të më ndihmonin. Ja ku po vinte një burrë, edhe ky me pallto të cilës i kishte ngritur paksa jakën dhe që për çudi nuk kish një, po më shumë se dhjetë gazeta nën sqetull. Po ecte duke parë ngultas para vetes sikur të shihte diçka të padukshme që vetëm ai arrinte ta dallonte. Po i njëjti ritual, me t’u afruar e ngriti kokën më lart dhe pasi bëri një përkulje tepër ceremoniale lëshoi një goedemorgen, ndërsa fjalën mijnheer e përtypi nëpër dhëmbë. Pasi ia ktheva përshëndetjen nxitova ta pyes: Graag, mag ik even wetten waar…(hol. A mund ta di ju lutem se ku…) por ai vazhdoi rrugën pa kthyer kokën.

Shpëtimi erdhi në formën e një postieri me uniformë që po afrohej me shpejtësi përballë meje. Nuk ishte punë me mend të ndaloje dikë që nxitonte aq shumë me biçikletë, po edhe unë me ngut e kisha, kështu që i dola përpara i vendosur të mos e lija të ikte. I bezdisur ai ndaloi disa metra pas meje dhe me njërën këmbë në tokë priti turivarur që ta arrija me çantën e rëndë wë I varej në  njërën  anë. Ndryshe nga njerëzit e tjerë që kisha takuar, ky jo vetëm nuk ma ktheu përshëndetjen, por foli shpejt e shpejt me kokën e kthyer andej nga po më  tregonte me dorë drejtimin e shkollës, duke shtuar në fund nëpër dhëmbë se ç’dreqin doja këtu në pyll kur duhej të kisha shkuar në drejtimin e kundërt. Çudi, ky ishte i pari njeri i pasjellshëm që takoja. Por të paktën tani e dija se ç’rrugë duhej të merrja.

Më në fund mbërrita në shkollë me shumë vonesë, çka pedagogu që më priste, ma bëri të qartë pa shumë ceremoni se kjo nuk ishte mënyra më e mirë për t’u paraqitur në mësim. “Nxënësit po të presin prej gjysmë ore - më tha dhe më bëri të ditur se ishte i detyruar ta shënonte vonesën time në relacionin përcjellës, çka nuk harroi ta bënte.

Pas mësimit shkuam për çaj në dhomën e pedagogëve, dhe m’u desh të dëgjoja me durim disa vërejtje që duhej t’i kisha parasysh në seancat e tjera. Pastaj, ashtu kot, sa për të thënë diçka, pedagogu më pyeti se si më dukej qyteti. Pyetja e zakonshme që u bëhet rëndom të sapoardhurve, të cilës iu përgjigja si të gjithë të sapoardhurit se më pëlqente shumë. Për të thënë edhe unë diçka shtova se ndryshe nga Amsterdami, njerëzit këtu më dukeshin shumë të sjellshëm. Ai reagoi sikur t’i kisha vënë përpara të hante ndonjë këpucë të ngrohur në mikrovalë. Pasi më hetoi një hop që poshtë vetullave se mos po tallesha, tha jo pa një dozë ironie: “Ashtu, çudi nuk e kisha vënë re”. Pastaj si të ishte kujtuar befas për diçka, kërkoi të dinte se nga cila rrugë kisha mbërritur në shkollë. Atëherë unë, i kënaqur që po më jepej mundësia të përligjja vonesën e mëngjesit (mbase vinte dorën në zemër dhe nuk e përmendte në relacion!) i përshkrova itinerarin që kisha ndjekur pas mbërritjes në stacionin e trenit, duke i treguar fill e për pe odisenë në kërkim të shkollës përfshirë edhe mirësjelljen ceremoniale të personave që takova rrugës, mirësjellje që nuk e kisha ndeshur askund gjetkë.

Pasi u mendua një çast, duke qeshur më tha se kisha shkëmbyer përshëndetje me pacientët e spitalit psikiatrik të qytetit, të cilët, meqë nuk ishin agresivë, i lejonin të shëtisnin në parkun aty rrotull.

*) “Mirëmëngjes zotëri”

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë