Letra ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, në Fondin 14. Gogo Nushi e njofton erporin e tij se mbledhja e Këshillit Kombëtar, thirrur nga Komiteti Ekzekutiv kishte dështuar për shkak të mos grumbullimit të pjesëmarrësve. Nga letra kuptohet se iniciatori për gjuajtjen me top të ndërtesës ku do të zhvillonte takimin Këshilli Kombëtar, ishte pikërisht Gogo Nushi. “Me qënë se tashti posedojmë artileri të lirë, - shkruante ai, - nëse ka mundësi që të afrohen afër Tiranës dhe të bombardojmë pallatin ku do të bëhet mbledhja. Kjo do të bëjë përshtypje të madhe në popull, dhe pallatin mund që ta dëmtojë.
Ky është një propozim”. Drejtuesi komunist për Tiranën jep informacione edhe për vepimtarinë e forcave të tjera politike në vend. Ai njofton për daljen e gazetës “Atdheu”, botim i mbështetësve të mbretit Zog. Edhe Balli Kombëtar duket se po kalonte disa vështirësi. G. Nushi flet për një përçarje të organizatës dhe përpjekje të ballistëve të Vlorës për të krijuar një parti socilademokrate.
“Për këtë punë kishin ardhur Skënder Muço, Mitat Aranitasi, Isuf Luzaj dhe të tjerë nga Vlora. Këta janë takuar shumë herë me Kondin, Hariton etj., për të formuar partinë socialdemokrate. Në mbledhjen e fundit që patën midis të tjerëve, (Kondi, Harito, Sk. Muço, Mitat Araniti, Zonjushja Musine Kokalari dhe disa të tjerë mori pjesë edhe një simpatizant i jonë, i cili na raportoi që të gjitha bisedimet që patën”. Pjesa e dytë e letrës i kushtohet informacioneve mbi organizimin e rinisë dhe problemeve nga terreni dhe ushtria.
I dashur Taras
Gjendja gjatë ditës djeshme paraqitej kështu si e dini dje që mbledhja e të famshmit Këshill, i thirrur nga komiteti ekzekutif. Dje kjo mbledhje qe një fiasko. Mbledhja u zhvillua në Pallatin e Zogut në rrugën e Elbasanit, ora më 13. Me qënë se nuk qenë shumica e delegatëve nuk qenë prezent, mbledhja u shty për të hënën 18 Tetor. Si kryetar u caktua Lef Nosi. Me sa mësojmë atje mernin pjesë Mehdi Frashëri, si dhe shumë të tjerë. Delegatët e Tiranës, thuhet se nuk merrnin pjesë. Shumica e delegatëve qenë kosovarë, por dhe këta nuk qenë shumë enthusiast. Delegatët që të gjithë qenë të ftohtë. Hollësira do të kemi dhe do të ja u shkruajmë sa më parë. Neve si të shkrojta edhe dje, nuk bëm asgjë gjatë këtyre ditëvet fundit. Po marrim masa për nesër, vetëm mos harroni që të na dërgoni mjetet që u kemi dërguar. Neve bëjmë këtë propozim.
Zogistat shpërndanë dje gazetën Atdheu, të cilën po ta dërgoj. Si do ta shifni kjo nuk ka as nonjë fjalë kundra gjermanëve. Kjo gazetë është shtypë në shtypshkronjën Tirana. Ali Fortuzi dhe Aleks Mavraqi thuhet se kanë marrë pjesë në këtë punë. Neve jemi duke hetuar mirë dhe do ta demaskojmë sa më parë. Si duket gjermanët kanë gisht në këtë punë tok me Ballin.
Balli nuk na ka nxjerrë ndonjërit të ne këto ditët e fundit. Me sa mësojmë delegatët e Vlorës e kanë thënë vetë që Balli u diskreditua, prandaj duhet që të formojmë diçka tjetër. Për këtë punë kishin ardhur Skënder Muço, Mitat Aranitasi, Isuf Luzaj dhe të tjerë nga Vlora. Këta janë takuar shumë herë me Kondin, Hariton etj., për të formuar partinë social demokrate. Në mbledhjen e fundit që patën midis të tjerëve, (Kondi, Harito, Sk. Muço, Mitat Araniti, Zonjushja Musine Kokalari dhe disa të tjerë mori pjesë edhe një simpatizant i jonë, i cili na raportoi që të gjitha bisedimet që patën.
Bisedimet qenë të gjata dhe Skënder Muço me Mitat Aranitasin qenë në kundërshtim me lëvizjen tonë, kurse të tjerët sidomos Haritua ua raportoi ç’është lëvizja nacional-çlirimtare. Skënderi e pohoi vetë që Balli falimentoi. Nuk arritëm as në nonjë përfundim. Këta nisen për në Vlorë. Gjatë kësaj kohe edhe neve lëvizim më shumë se më parë. Mbasi krijuam këshillin e qytetit Tiranës, ky po organizohet dhe ka filluar nga puna. Komisioni i Partisë ka një barrë të madhe në këtë sektor dhe ka bërë mjaft.
Mbledhje po bëhen dita ditës. Ka mundësi që të shtohen dhe lëvizja të zgjerohet. Po i japim rëndësi të madhe këtij sektori.
Edhe në sektorin e gruas dhe Rinisë është bërë mjaft punë kohët e fundit. Këshilli i gruas që ekzistonte u rrëzua dhe u zëvendësua nga një këshillë më e gjerë e zgjedhur nga delegatët e këshillave të mëhallave të ndryshme. Aty u shtuan edhe shoqe të Partive të tjera. Në këtë konferencë mori pjesë shoku Shafimqe.
Edhe Rinia mbas konferencave të gjera ku caktoheshin delegatë, u mblodh konferenca e të gjithë këtyre dhe u krijua “Bashkimi i Rinisë Antifashiste i Tiranës”. U zgjodh si kryetar shoku Bregu. Në Komitet marrin pjesë edhe shokë të tjerë. Këta do të fillojnë një kampanjë të gjerë pët të grumbulluar Rininë e Tiranës. Këshilli i universitarëve edhe ky e ka zgjeruar pak rrethin.
Organizata e Partisë është gjithë në lëvizje. Shokët kush më shumë kush më pak që të gjithë punojnë. Celulat mbledhjet i bëjnë në rregull. Me gjithë punët e shumta që kemi këto kontrollohen vazhdimisht. Direktiva u jepen vazhdimisht. Numri i celulave është shtuar. Tashti kemi 18 celula. Do të fusim vazhdimisht në radhët e Partisë shokë të rinj. Seleksionimi i tyre bëhet i fortë. Fatkeqësisht këta nuk kanë një edukatë të fortë dhe nuk dinë se si të veprojnë. Për çdo gjë drejtohen tek përgjegjësit. Kemi mejtuar të bënim kurse por puna e shumtë nuk na lejon për tashti.
Grupet e simpathizantëve na ndihmojnë mjaft në punë, dhe nga këta po nxjerrim anëtarë të rinj për partinë. Ka mundësi që këta grupe të na japin ndihmë shumë më të madhe, por fatkeqësisht nuk i kontrollojmë sa duhet. Si për grupet ashtu edhe për të gjithë punën tonë shifet e nevojshme që të ndryshojmë taktikë punimi. Neve kemi mejtuar që të organizojmë celulat në bazë të mëhallave. Mejtojmë që do të kemi përfitime të mëdha nga një organizim i tillë. Do të jetë mjaft zor, por na shkruani edhe juve çfarë mendoni për këtë gjë.
Njësitet janë përmirësuar. Me armë janë armatosë mjaft mirë.
Disponojmë këtu afro treqind pushkë ordinare si dhe njëqind automatike, përveç revoleve dhe bomba me mijëra. Aksione janë bërë disa, si për shëmbëll atentatin kundra Mustafa Krujës, Difit, këpucët e ministrisë Arësimit, pushkë automatike, si dhe tre (3) mitraloza në Kuesturën e rrugës Konte Çiano. Ka mundësi që të bëhen edhe aksione të shumta, por për këtë u kam shkrojtur edhe prapë na nevojiten armë të vogla automatike. I jepni rëndësi kësaj pune se është me rëndësi për neve këtu.
Bombardimi i ditës së enjte e ka alarmuar shumë popullin, dhe sidomos mëhallën që vojti më shumë nga ky bombardim. Organizata e jonë nuk mungoi që t’i ndihmonte të dëmtuarit, sidomos Rinia këtu si kudo është treguar shumë aktive. Neve edhe me një trakt ja kemi shpjeguar popullit se kush janë përgjegjësit e kësaj gjendjeje.
Në çetën e Dajtit kemi dërguar dy shokë Partie, këto ditët e fundit, si dhe një tjatër që do të punojë në rrethin e Priskës.
Me qënë se si nga çeta e Ishmit ashtu edhe e Dajtit, shokët më të mirë u larguan dhe prandaj puna nuk shkon si më parë. Neve i mbajmë në korent vazhdimisht dhe i këshillojmë për çdo gjë. Efektivi i çetës është më shumë se 50 veta. Janë duke bërë mobilizim dhe kështu çeta do të shtohet. Armë kanë të mjaftueshme. Balli për tashti nuk ndihet në qarkun e Priskës, por kjo nuk do të thotë se nuk ka baza.
Me qënë se çeta nuk ka mundur të lëvizi, pse ka gjithmonë me vehte 600-700 ushtarë italianë, prandaj s’ka mundur që të shkojë në të gjithë qarkun dhe sidomos në Shëngjergj ku bëhen dallavere të mëdha. E zgjidhni sa më parë punën e ushtarëve italianë. Është problem i madh puna e ushqimit për këtë masë. E pa mundur që t’u dërgojmë një mijë bukë dita ditës nga qyteti. Këto dit do të emërojmë komandantin dhe komisarin politik të çetës. Një njësit i çetës Dajtit ka bërë disa aksione këto ditët e fundit, të cilat do t’i shifni në komunikatë.
Në çetën e Ishmit edhe atje largimi i shokëve më të mirë e ka dobësuar mjaft, por edhe aty kanë ngelë dy shokë të mirë dhe tashti ka shkuar edhe Met Seseri, çeta mund të smadhohet së shpejti. Raport mbi gjendjen e katundarëve nuk na kanë dërguar.
Mbrëmë mblodhëm aktivistët e partisë dhe shokët përgjegjës u sqaruam mbi gjendjen e sotme dhe detyrat tona. U shpjegua mirë rëndësia e mobilizimit të partizanëve të rinj për brigadën e tretë. Nuk ka pasë suksesin e duhur. Shpresojmë se do të dalin më shumë vullnetarë.
Teknika punon gjithmonë në rregull.
Nuk kemi mundur që të shtypim tekste këto kohët e fundit. Këto kohët e fundit na ka favorizuar mjaft botimi i gazetave dhe trakteve të ndryshëm në shtypshkronjë. Një pjesë e madhe e këtyre botimeve shpërndahen në popull, ose ngjiten mureve të qytetit. Reaksion nuk ka pasë këto kohët e fundit. Përveç ditës djeshme, që gjermanët gjatë natës arrestuam më shumë se katër qind veta, shumicën e të cilëve i liruan gjatë ditës. Në të gjithë këtë masë nuk patëm as nonjë arrestim shokësh. Morëm masa me një herë për çdo eventualitet.
Ndihmat tona kanë qënë të mëdha për këto të dy çeta. Sipas direktivës që na kini shkrojtur, neve nuk duhet që t’u japim ndihma të mëdhaja këtyre çetave, por duhet që ta dini që edhe këta kanë nevojë për ndihma financiare, prandaj i merrni në lidhje sa më parë, ose juve ose shtabi i zonës.
Simbas bisedimeve që kini pasë me shokun Kaçaç Matin do ta marrim në lidhje neve. Edhe këtij i nevojitet material i shumtë të cilin do të ja u prokurojmë, por edhe këtyre u nevojiten të holla. Çuditem se si juve në emër të Shtabit të mos t’i kini dhënë ndihmë financiare këtij sektori me kaqë rëndësi. Neve, duhet që ta dini që nga financa jemi mjaft të dobët me qënë se këto ditët e fundit kemi dërguar shumë kamiona në Kosovë për të blerë bereqet, si grurë, djathë dhe fasule. Ndihmat që po mbledhim do të ja dorëzojmë Këshillit të Tiranës, (ato që janë për luftën dhe jo të Partisë).
Na shkruani se ku t’i dërgojmë ushqimet që do të na sjellin. Gjendjen e Pezës juve e dini më mirë se neve.
Nga çetat e ndryshme po vijnë dita ditës shokë dhe disa kot së koti, ose të tjerë se janë pak të sëmurë. Ndërhyni edhe juve, se Tirana është plot me të sëmurë ose ilegalë që vijnë nga çetat dhe në raste aksioni do të kemi humbje. Në mjekimin e shokëve të sëmurë na ka ndihmuar mjaft personeli i spitalit civil, të cilin po thuaj se e kemi të gjithë t’organizuar.
Me kaq sa për sot.
Të fala
19-10-43
Shkrimi u publikua sot (18.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)