Gogoli i autonomisë

Gogoli i autonomisë
Kur po thuhet se serbët tani do ta fitojnë autonominë, kjo thjesht nuk është e vërtetë, sepse ata këtë autonomi e kanë pas edhe më herët; është po ajo autonomi që ua ka ofruar Ahtisaari dhe Kushtetuta e Kosovës.

Ekziston një keqkuptim në opinionin e Kosovës, por edhe në Serbi, kur bëhet fjalë se çfarë statusi do ta gëzojnë serbët e Kosovës, sidomos ata në veri, pasi që të përfundojë dialogu për të cilin zyrtarët në Bruksel thonë se duhet të përfundojë deri në prill të këtij viti. Tani po trumbetohet shumë oferta e autonomisë, sikur serbëve në veri po u ofrueka një statusi special në formë autonomie. Ata që flasin për autonominë e veriut thonë se kjo do të ketë pasojën e krijimit të një shteti brenda shtetit, që Kosovën do ta bëjë shtet jofunksional, të bllokuar. Dhe kjo ilustrohet me rastin e Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila është pjesë konstitutive e Unionit të Bosnjës dhe Hercegovinës, por me aso kompetenca që këtë Union e bëjnë një shtet pothuajse krejtësisht jofunksional, me të meta të pashërueshme dhe ngulfatëse, pasi që për çdo vendimmarrje të rëndësishme, kërkohet koncensusi, të cilën pala serbe zakonisht nuk e jep.

Të gjitha këto koncepte dhe analogji nuk qëndrojnë në rastin e Kosovës.

Të fillojmë nga autonomia. Në diskursin kosovar, por edhe te konceptet ndërkombëtare që janë bërë pjesë e Planit të Ahtisaarit dhe që edhe janë në proces të jetësimit prejse janë bërë pjesë e Kushtetutës së Kosovës, autonomia është bërë një ide krejtësisht e papëlqyeshme sepse paramendohet vetëm si autonomi territoriale etnike, si një zonë që i ka organet e veta autonome nga ato të qendrës, e që në kontekstin e mosbesimit të madh ndëretnik, gjithnjë perceptohen si një hendek i pakapërcyeshëm, ku nuk do të ketë marrëveshje dhe harmoni as sot, e as në të ardhmen. Kosovari dyshues e sheh këtë situatë të autonomisë në kornizat e asaj shprehje defetiste: ja jep dikujt gishtin, e ai ta merr krejt dorën!

Në të vërtetë, ajo që ofron pakoja e Ahtisaarit për serbët, është lloj i autonomisë që edhe duhet të quhet pa asnjë ekuivoke autonomi. Kështu që kur thuhet se serbët tani do ta fitojnë autonominë, kjo thjesht nuk është e vërtetë, sepse ata këtë autonomi e kanë pas edhe më herët; është po ajo autonomi që ua ka ofruar Ahtisaari dhe Kushtetuta e Kosovës. Vetëm se një pjesë e serbëve, ata të veriut, që janë pakicë, nuk e kanë pranuar, kurse shumica e ka pranuar dhe është integruar pa probleme të mëdha në institucionet e Kosovës.

Serbët në Kosovë nuk kanë kompaktësi të tillë të shtrirjes si popullsi shumicë që do t’ua mundësonte krijimin e autonomisë territoriale etike me organe të veçanta (kuvend, qeveri dhe institucione publike autonome…) por të subordinuara ndaj sistemit dhe ligjeve të shtetit të Kosovës. Autonomia e tyre konsiston në drejtat e deleguara që qendra i bartë në organet e qeverisjes komunale, në komunat që shtrihen si enklava. Këto delegime të pushtetit nuk i bëjnë këto komuna e as bashkësinë e tyre, në asnjë aspekt instanca sovrane, siç është rasti me Republikën Serbe në Bosnje. Ajo quhet republikë, e këto as formalisht nuk e kanë emrin autonomi, por e kanë autonominë në përmbajtje, me pushtetet e deleguara në kulturë, arsim, shëndetësi, siguri dhe ekonomi. Por me kufizime taksative që afirmojnë shtetësinë e Kosovës.

Për këtë arsye çdo krahasim me Bosnjën është i pasaktë. Plani i Ahtisaarit ua mundëson serbëve mbrojtjen e interesave të tyre të veçanta me procedura të veçanta të sigurimit të shumicës së kualifikuar vetëm në disa fusha ku do të mund të cenoheshin të drejtat e tyre etnike dhe kulturore, p.sh. e drejta e përdorimit të gjuhës dhe simboleve, e përfaqësimit të barabartë, e mosdiskriminimit nga mazhoranca shqiptare etj., por ata me autonominë që u ofrohet nuk do ta kenë, si në Bosnje, të drejtën e vetos për çdo vendim që kërkon shumicën e votës demokratike e që nuk kanë të bëjnë me të drejtat etnike. Funksionaliteti i shtetit nuk cenohet me këto masa mbrojtëse. Mund të komplikohet në disa rrethana, por jo të bllokohet procesi vendimmarrës. Kjo është çështja esenciale që vlerëson karakterin e gogolit të autonomisë. A është frikë rale, apo më shumë e shpifur.

Dialogu që po zhvillohet në Bruksel dhe tani ka hyrë në fazën e përshpejtimit kur nga Serbia kërkohet që të heq dorë nga institucionet e veta që i ka instaluar në veri të Kosovës, do të duhej të shtrinte edhe në veri aplikimin e autonomisë së Ahtisaarit, si model unik për tërë Kosovën, ku disa kompetenca jo edhe aq të vogla dhe të parëndësishme të pushtetit qendror, do të delegohen në instancat komunale. Kjo është ajo që tashmë ka ndodhë në Graçanicë dhe disa komuna tjera me shumicë serbe në brendi të Kosovës, por që në tri komunat në veri nuk është pranuar si model për shkak se vazhdimi i funksionimit të institucioneve të Serbisë në atë pjesë kishin krijuar bindjen te popullsia e atjeshme se këto tri komuna nuk do të integrohen në Republikën e Kosovës, por do të ndahen nga Kosova dhe bëhen edhe juridikisht pjesë e Republikës së Serbisë.

Nga Brukseli është njoftuar se në dialogun mes kryeministrave, Thaçi dhe Daçiq, praktikisht është arritur marrëveshja për shuarjen e institucioneve paralele; ka mbetur që të arrihet vetëm edhe pajtimi rreth modaliteteve të bartjes së pushtetit nga instancat e tashme ilegale, të financuara nga Serbia, në organet e pushteti lokal që do të zgjedhen rishtas dhe sipas ligjeve të Kosovës. Tek këto modelitate të pushtetit transitor sipas të gjitha gjasave deri te mbajtja e zgjedhjeve dhe konstituimi i organeve komunale të reja, kompetencat do të barten te KFOR-i dhe EULEX-i, që do të duhej të garantonin se në veriun për shumë kohë të turbulluar, nuk do të mbizotërojë anarkia.

Gogoli i fundit që po përmendet rreth garantimit të autonomisë ahtisaariane për serbet, që shihet si projekt i rrezikshëm dhe obstruktivë, - që gjoja Kosovën do ta bëjë një shtet plotësisht jofunksional, - shihet te pjesa e marrëveshjes së paralajmëruar, e konfirmuar së fundi edhe nga kryeministri Thaçi, që parasheh krijimin e asociacionit të komunave serbe. Ky organ që është paraparë edhe në Pakon e Ahtisaarit nuk e ka funksionin që i përshkruhet në komentet e shumta alarmuese, se kinse ky do të jetë një Kuvend i serbëve me kompetenca legjislative dhe me të drejta vendimmarrjesh që do të sfidojnë përditë Republikën e Kosovës. Asociacioni është thjesht një trup koordinues, kur serbët mund të shtrojnë edhe kërkesa kolektive të ndryshme, por nuk është paraparë që të bëjë ligje dhe zgjedh qeveri të përbashkët autonome, që do të sfidonte seriozisht pushtetin qendror të Republikës së Kosovës.

Për momentin nuk janë bërë ende publike marrëveshjet konkrete dhe përcaktimi decidiv i kompetencave të këtij asociacioni të komunave serbe, por duke e ditur intencën e projektit të Ahtisaarit, si dhe disponimin e Brukselit që të mos krijohet edhe një mollë afatgjate e sherrit, si ajo e Qipros, në kuadër të territorit që BE-ja e ka në plan që t’i integrojë në strukturat e veta, nuk besoj se ky asociacion mund të bëhet problem i madh për ardhmërinë e Kosovës. Përkundrazi, marrëveshja Thaçi-Daçiq që çon drejt finalizimit të shtetndërtimit të brendshëm të Kosovës, do të ndikojë edhe në tejkalimin e pengesave të njohjes së plotë ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës në BE dhe OKB.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës