Nuk ka turizëm dhe as zhvillim pa një drejtësi që garanton siguri ligjore. Ky ishte mesazhi i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë një takimi në Gjirokastër me profesionistë të ligjit, në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”.

Në këtë takim, ku ishte e pranishme edhe Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku Flamur Golemi, fokusi ishte te roli i drejtësisë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Gogu e cilësoi drejtësinë si “infrastruktura që nuk shihet, por që mban në këmbë çdo sektor zhvillimi”, duke nënvizuar se pa siguri ligjore nuk mund të ketë turizëm të qëndrueshëm dhe as mbrojtje reale të trashëgimisë kulturore.

“Nuk mund të bëjmë turizëm pa siguri ligjore, as për turistët dhe as për mikpritësit. Nuk mund të mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore pa e mbrojtur atë me ligj,” u shpreh ai.

Ministri pranoi se sistemi i drejtësisë ka ende punë për të bërë, por theksoi se disa shërbime si ndihma juridike falas, përmbarimi shtetëror dhe shërbimi i provës po japin rezultate konkrete, duke rritur aksesin e qytetarëve në drejtësi.

Sa i përket reformës në drejtësi, Gogu e cilësoi atë një proces 10-vjeçar që ka sjellë ndryshime thelbësore. Sipas tij, ndarja e politikës nga drejtësia dhe goditja e pandëshkueshmërisë janë arritje që tashmë njihen edhe ndërkombëtarisht.

Ai u ndal edhe te integrimi europian, duke theksuar se Shqipëria ndodhet në një moment kyç dhe pritet një vlerësim pozitiv për ecurinë e negociatave.

“Ky nuk është rezultat i 18 muajve, por i 10 viteve punë,” tha Gogu, duke shtuar se synimi është mbyllja e një pjese të mirë të kapitujve brenda këtij viti.