Lufta kundër krimit të organizuar nuk fitohet vetëm me arrestimin e autorëve, por duke goditur përfitimet financiare që qëndrojnë pas veprimtarive kriminale, tha Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në Strasburg ku mori pjesë në Takimin Joformal të Ministrave të Drejtësisë të Këshillit të Europës.
Gjatë panelit kushtuar rolit të informacionit financiar në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar, Gogu vuri theksin te nevoja për ta kthyer informacionin financiar në hetime konkrete, ndjekje penale dhe konfiskim pasurish.
“Pyetja nuk është më nëse mund të mbledhim informacion financiar. Pyetja është nëse mund ta shndërrojmë atë në veprim gjyqësor përpara se fitimi kriminal të kthehet në pushtet kriminal”, u shpreh ministri.
Duke folur për zhvillimet në Shqipëri, Gogu tha se procedimet për pastrim parash të regjistruara nga SPAK janë më shumë se trefishuar gjatë viteve të fundit. Sipas tij, hetimet financiare kanë çuar në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve me vlerë mbi 45 milionë euro, duke përfshirë edhe kriptoasete.
Ministri i Drejtësisë theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit financiar, duke argumentuar se rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve shtetërorë dhe kërkojnë reagim të koordinuar nga institucionet.
“Krimi financiar është një nga format më ndërkombëtare të kriminalitetit dhe kërkon institucione që bashkëpunojnë me të njëjtën shpejtësi me të cilën veprojnë rrjetet kriminale”, deklaroi ai.
Takimi në Strasburg u zhvillua në kuadër të nismave të Këshillit të Europës për forcimin e luftës kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Komente










