Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu reagoi me tone ironike ndaj kërkesës së opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor mbi çështjen “McGonigal”.

Ai tha se opozita po tenton ta kthejë Kuvendin në “kinema” me akuza të sajuara dhe se po përpiqet të marrë rolin e Prokurorisë.

“Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë se Parlamenti nuk mund të përpijë kompetencat e Prokurorisë”

Fjala e plotë:

Një ndërhyrje shumë e shkurtër. E rëndësishme është që më në fund e gjetët një amerikan që e doni. Shumë mirë bëni. Ka lidhje me kërkesën e cila po diskutohet.

Vetëm do thosha që Gjykata Kushtetuese – po e perifrazoj – thotë se komisionet hetimore nuk mund të kthehen në kinema, nuk mundet të kthehen në kinostudio, nuk mundet të krijojnë “Babalen 2”, dhe e patë se si akuzat i merr era.

E pashë shumë kollaj.

Shiko, kjo çështje që ju keni sjellë nuk është as shqiptare, as e re, as e ndershme. Juve, në hallin e madh që ju ka zënë, në vend që të ngrini një komision hetimor që të shikoni ato paratë tuaja që përfunduan në Uashington, edhe se si përfunduan edhe akuzat që i bënit njëri-tjetrit gjatë rezistencës demokratike kundër Partisë Demokratike, merreni me sajesa dhe me gjëra të cilat kanë mbaruar për drejtësinë amerikane.

Dhe tjetra është që doni të përpini edhe kompetencat e prokurorëve, se e keni me qejf të madh.
Ju të gjithë sikur keni dashur të shkoni në magjistraturë dhe s’ju është realizuar ëndrra; vini këtu dhe bëni akuza nga foltorja si prokurorë.
Nuk mundet, thotë Gjykata Kushtetuese, që Parlamenti të përpijë kompetencat e Prokurorisë, siç po bëni ju.

Por më e bukura është që e bën dhe një i pandehur për korrupsion. Pra, duhet të ishte dënuar për korrupsion McGonigal-i, që të mundeni ju të vini dhe të ngrini këto akuza të marra.

Po lexoja fjalorin e Gjuhës Shqipe që thoshte: e dini si quhet ai njeriu që bën të tjerët për të qeshur me veprimet e tij të shkathëta?

Personi që bën të tjerët për të qeshur me veprimet e tij të shkathëta quhet karagjoz.


Lajmi kryesor:

PD braktis Kuvendin pasi s’mori komisionet për 11 majin dhe McGonigal! PS: Nuk hetojmë procese penale të mbyllura nga drejtësia amerikane