Nuk u ftua nga Sylvinho në miqësoret e marsit, por Mirlind Daku "u ndez" me ekipin e tij të Rubin Kazan. Një gol dhe një asist për sulmuesin që po kërkon me ngulm një fanellë për në Euro 2024 me kuqezinjtë.
Forma e mirë fundjavën që lamë pas ka bërë që Daku të jetë në formacionin e javës në Premier Leaguen ruse të futbollit. Të tijtë fituan 2-1 me Akhmat Grozny dhe Daku sheh veten mes më të mirëve të javës së 22-të në sulm.
Këtë sezon ai ia ka dalë të shënojë pesë gola në Rusi dhe duket se po kërkon t'i bëjë përshtypje Sylvinhos për ftesën finale para "Gjermani 2024".