Futbollistët e kombëtares shqiptare të futbollit kanë qenë në qendër të vëmendjes këtë të shtunë, duke lënë gjurmë me paraqitjet e tyre në kampionatet respektive.
Në Kroaci, Arbër Hoxha zhbllokoi sfidën për Dinamo Zagrebin që në minutën e 5-të ndaj HNK Gorica. Sulmuesi realizoi një gol të bukur pas një aksioni individual, duke finalizuar saktë me të djathtën në hyrje të zonës. Megjithatë, avantazhi nuk zgjati shumë, pasi vendasit barazuan në minutën e 12-të, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej 1-1. Në fund Dinamo mori tri pikë pas golit të dytë në ekstrem të sfidës.
Ndërkohë, në Rusi Mirlind Daku u rikthye te goli me fanellën e Rubin Kazan, duke realizuar në minutën e 29-të kundër Baltika Kaliningrad. Ky ishte goli i tij i dhjetë për këtë sezon, një moment i rëndësishëm pas një periudhe të gjatë pa shënuar që nga nëntori i kaluar (edhe për shkak dëmtimi).
Në këtë gol kontribuoi edhe Nazmi Gripshi, i cili dhuroi asistin me një krosim të saktë nga goditja e këndit, duke treguar bashkëpunimin e mirë mes lojtarëve kuqezi edhe në arenën ndërkombëtare.
Të premten në kampionatin turk shënuan edhe Kristjan Asllani e Qazim Laçi.
Komente










